Riarmatimi i Evropës dhe mbështetja për Ukrainën tema kryesore në takimin joformal të ministrave të Mbrojtjes së BE-së
- Planet për riarmatosjen dhe përforcimin e mbrojtjes së Evropës dhe rolin e BE-së në arritjen e paqes së drejtë në luftën në Ukrainë do të jenë temat kryesore të Këshillit joformal të Punëve të Jashtme të BE-së në nivel të ministrave të mbrojtjes, që do të mbahet sot dhe nesër në Varshavë.
- Post By Fami Bajrami
- 08:00, 2 prill, 2025
Bruksel, 2 prill 2025 (MIA) - Planet për riarmatosjen dhe përforcimin e mbrojtjes së Evropës dhe rolin e BE-së në arritjen e paqes së drejtë në luftën në Ukrainë do të jenë temat kryesore të Këshillit joformal të Punëve të Jashtme të BE-së në nivel të ministrave të mbrojtjes, që do të mbahet sot dhe nesër në Varshavë.
Sipas paralajmërimeve të presidencës polake të BE-së, ministrat e Mbrojtjes së vendeve anëtare të Unionit do të shkëmbejnë mendime për planet e Komisionit Evropian për riarmatimin e Evropës dhe përforcimin e industrisë së saj të mbrojtjes në kushte të situatës aktuale të sigurisë.
Ministrat, gjithashtu, do të diskutojnë dhe për mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën dhe për rolin që mund të ketë Bashkimi Evropian në sigurimin e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme, si dhe situatën më të gjerë gjeopolitike dhe konfliktet në Lindjen e Mesme.
Me Këshillin joformal të Punëve të Jashtme do të kryesojnë përfaqësuesja e lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas dhe zëvendëskryeministri dhe ministri polak i Mbrojtjes kombëtare, Vlladisllav Kosinjak-Kamish.
Sipas rendit të ditës, Këshilli do të fillojë sot pasdite me prezantimin e Librit të Bardhë për të ardhmen e mbrojtjes evropiane nga ana e eruokomisarit për Mbrojtje dhe Hapësirë, Andrius Kubulius, pas çka do të mbahen dy panele kushtuar zhvillimit dhe financimit të aftësive mbrojtëse të BE-së.
Këshilli do të vazhdojë nesër në mëngjes me një debat për mbështetjen ushtarake të BE-së për Ukrainën, pas çka do të vijojë drekë pune, në të cilën ministrat do të shkëmbejnë mendime për propozimet në Librin e Bardhë për mbrojtjen evropiane.
Këshillat joformale janë takime të përfaqësuesve të shteteve anëtare të BE-së në të cilat nuk merret asnjë vendim, por vetëm shkëmbehen debate dhe mendime për çështje të caktuara. rq/bsh/
Foto: arkivi i MIA-s