Retklif: Nëse është e nevojshme ukrainasit do të luftojnë edhe duarbosh
- Forcat ukrainase do të luftojnë edhe "me duar bosh" nëse nuk u jepen kushte të pranueshme për një paqe të qëndrueshme, deklaroi drejtori i CIA-s, Xhon Retklif gjatë një seance dëgjimore në Senatin amerikan.
- Post By Qefsere Abduli
- 12:18, 26 mars, 2025

Uashington, 26 mars 2025 (MIA) - Forcat ukrainase do të luftojnë edhe "me duar bosh" nëse nuk u jepen kushte të pranueshme për një paqe të qëndrueshme, deklaroi drejtori i CIA-s, Xhon Retklif gjatë një seance dëgjimore në Senatin amerikan.
"Dua të them se sa i përket rezistencës ukrainase, populli ukrainas dhe ushtria ukrainase janë nënvlerësuar prej disa vitesh. Nga këndvështrimi i inteligjencës, jam i bindur se ata do të luftojnë me duar bosh nëse është e nevojshme, nëse nuk kanë kushte që janë të pranueshme për një paqe të qëndrueshme”, tha Ratklif.
Kjo lëvizje vjen mes përpjekjeve të presidentit amerikan Donald Tramp për të ndërmjetësuar për armëpushim dhe një marrëveshje më të gjerë paqësore midis Rusisë dhe Ukrainës.
Retklif pretendon se Trampi po përpiqet t'i japë fund luftës në kushte që do të sigurojnë paqe të qëndrueshme. Ai shtoi se CIA ka ndërmarrë hapa për të mbështetur përpjekjet diplomatike të Trampit.
Në marrëveshjen e ndërmjetësuar nga SHBA-ja, Moska dhe Kievi ranë dakord të ndalojnë sulmet që synojnë infrastrukturën energjetike në Ukrainë dhe Rusi. Përveç kësaj, palët ndërluftuese ranë dakord të "eliminojnë përdorimin e forcës" dhe të parandalojnë përdorimin e anijeve tregtare për qëllime ushtarake në Detin e Zi.
SHBA-ja dhe Ukraina fillimisht mbështetën një armëpushim më të gjerë 30-ditor gjatë bisedimeve në Xheda më 11 mars i cili do të duhej të përfshinte edhe ndalimin e operacioneve tokësore. qa/
Foto: EPA