• e mërkurë, 10 dhjetor 2025

“Reporterë pa kufij”: Këtë vit kanë humbur jetën 67 gazetarë, kryesisht në Gazë dhe Meksikë

“Reporterë pa kufij”: Këtë vit kanë humbur jetën 67 gazetarë, kryesisht në Gazë dhe Meksikë

Berlin, 9 dhjetor 2025 (MIA) – Gjatë vitit të kaluar, 67 gazetarë kanë humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës, ku shumica e tyre kanë rënë viktima të luftës ose rrjeteve kriminale, informoi sot organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut "Reporterë pa kufij" (Reporters Without Borders).

Të dhënat, të cilat mbulojnë periudhën nga dhjetori i vitit të kaluar deri në fillim të dhjetorit të këtij viti, janë të ngjashme me ato të periudhës së mëparshme (2023-2024).

Rajonet më të rrezikshme mbeten Rripi i Gazës, ku humbën jetën 29 reporterë dhe Meksikë me nëntë raste të vdekjes së gazetarëve.

"Çdo gazetar i vdekur dhe çdo gazetar i ndaluar është një paralajmërim për ne në Gjermani se kushdo që sulmon gazetarët na privon të gjithëve nga e drejta për t'u informuar pa pengesa", deklaroi drejtoresha ekzekutive e organizatës ndërkombëtare në Gjermani, Anja Osterhaus.

"Qeveritë në gjithë botën duhet të ndërmarrin masa. Kur ata që raportojnë në mënyrë kritike duhet të kenë frikë për lirinë e tyre apo edhe për jetën e tyre, demokracia në mbarë botën është në rrezik", tha ajo.

Sipas organizatës, për momentin ka 503 gazetarë në 62 vende që janë në burgje, një rënie krahasuar me periudhën e mëparshme. Kina është vendi me më shumë gazetarë të ndaluar (121), ndjekur nga Rusia (48) dhe Mianmari (47).

Rusia ka ndaluar më shumë gazetarë të huaj, 26 prej të cilëve janë ukrainas, pasuar nga Izraeli i cili ka ndaluar 20 gazetarë palestinezë.

Përveç kësaj, 135 punonjës mediatik janë shpallur të zhdukur, disa prej të cilëve prej më shumë se 30 vitesh. Gazetarë në 137 vende llogariten si të zhdukur, shumica e tyre në Lindjen e Mesme ose Amerikën Latine.

Foto: arkivi

QËNDRONI TË LIDHUR