Renie: Kufizimi i eksportit të çipave për inteligjencën artificiale nga SHBA do të ketë efekte negative
- Bashkimi Evropian (BE) është thellësisht i shqetësuar nga vendimi i SHBA-së për kufizim të mëtejshëm të eksportit të çipave të avancuar të inteligjencës artificiale dhe beson se do të ketë efekt potencial negativ, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian për sovranitet teknologjik, mbrojtje, hapësirë dhe hulumtim, Toma Renie.
- Post By Fami Bajrami
- 15:14, 14 janar, 2025
Bruksel, 14 janar 2025 (MIA) – Bashkimi Evropian (BE) është thellësisht i shqetësuar nga vendimi i SHBA-së për kufizim të mëtejshëm të eksportit të çipave të avancuar të inteligjencës artificiale dhe beson se do të ketë efekt potencial negativ, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian për sovranitet teknologjik, mbrojtje, hapësirë dhe hulumtim, Toma Renie.
“Rikujtojmë se ne përfaqësojmë një mundësi të fuqishme ekonomike për SHBA-në, jo rrezik të sigurisë”, theksoi Renie.
Ai paralajmëroi se Komisioni Evropian planifikon ta diskutojë këtë çështje me administratën e re amerikane, në mënyrë që të gjendet zgjidhje në interes të përbashkët.
Administrata e presidentit amerikan Bajden dje kumtoi se do të kufizojë më tej eksportin e çipave të inteligjencës artificiale në mënyrë që ta ruajë pozicionin udhëheqës të SHBA-së dhe grupit të aleatëve dhe partnerëve të saj në këtë sektor.
"SHBA sot është lidere në inteligjencën artificiale - si në zhvillimin e inteligjencës artificiale ashtu edhe në dizajnimin e çipave të inteligjencës artificiale - dhe është e rëndësisë esenciale që ne ta ruajmë këtë pozicion", deklaroi Sekretarja amerikane e tregtisë, Xhina Raimondo.
Sipas paralajmërimit, SHBA do të vendosë kufizime të reja në eksportin e çipave të kartave grafike (GPU) që përdoren në qendrat e të dhënave për të testuar modelet e inteligjencës artificiale. Ato përdoren më shpesh në lojëra, por kanë aplikim edhe në sektorë të tjerë, për shkak të fuqisë së tyre të madhe dhe përpunimit të njëkohshëm të kategorive të ndryshme të të dhënave.