• e enjte, 04 dhjetor 2025

Reagime të ndara në botë për samitin Tramp-Putin

Reagime të ndara në botë për samitin Tramp-Putin

Bruksel, 16 gusht 2025 (MIA) - Liderët botërorë reaguan ndaj samitit midis presidentit amerikan Donald Tramp dhe homologut të tij rus Vladimir Putin, dhe siç raportuan mediat, reagimet ishin të ndara - disa kritikuan mungesën e rezultateve konkrete, ndërsa të tjerë theksuan rëndësinë e vetë dialogut.

Shefi i diplomacisë hungareze, Peter Sijarto, vlerësoi mbajtjen e samitit dhe theksoi rëndësinë e dialogut.

"Bota është një vend më i sigurt për sa kohë që SHBA-ja dhe Rusia flasin. Lufta në Ukrainë nuk do të zgjidhet në front, por në tryezën e negociatave", tha Sijarto, duke shtuar se Hungaria ka bërë thirrje për negociata prej vitesh, ndryshe nga, siç e tha ai, "politikanët pro-luftës nga Brukseli".

Ministri i diplomacisë norvegjeze, Espen Bart Ajde, nga ana tjetër, tha se Putini "përsëriti narrativat e tij të njohura të propagandës" në samit dhe vlerësoi se ishte e nevojshme të rritej presioni mbi Moskën.

"Duhet t'ia bëjmë të qartë Rusisë se ajo do të mbajë pasojat. Putini po përpiqet të ndajë Evropën dhe SHBA-në dhe ne duhet ta parandalojmë këtë", tha Ejde, duke shtuar se nuk pret ndryshime të menjëhershme në frontin në Ukrainë.

Ministrja çeke e Mbrojtjes, Jana Çernohova, tha se takimi "nuk solli ndonjë përparim të konsiderueshëm", por përkundrazi zbuloi, siç e tha ajo, "motivet dhe qëllimet e vërteta propagandistike të udhëheqësit rus".

"Putini nuk po kërkon paqe, por po përdor takime të tilla për të dobësuar unitetin perëndimor dhe për të justifikuar agresionin. Kjo është arsyeja pse është thelbësore që Perëndimi të mbetet i bashkuar dhe i palëkundur në mbështetjen e tij për Ukrainën", shkroi Çernohova në Platformën X.

Samiti në Alaskë zgjati gati tre orë, por nuk çoi në një marrëveshje paqeje apo armëpushim.

Pala ukrainase nuk u përfshi në bisedime dhe vëzhguesit ndërkombëtarë thonë se mbetet e pasigurt nëse takimi do të çojë në nisma konkrete paqeje, raportuan mediat britanike. sa/

foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR