• e premte, 22 nëntor 2024

Reagime të liderëve botërorë për sulmin izraelit ndaj Libanit

Reagime të liderëve botërorë për sulmin izraelit ndaj Libanit

Bejrut, 24 shtator 2024 (MIA) – Në mes të sulmeve të fuqishme të Izraelit ndaj Libanit, Si-En-En i transmeton reagimet e liderëve botërorë për përshkallëzim të madh të dhunës në të cilën u vranë më shumë se 500 njerëz, ndërsa mijëra ishin plagosur. 

Ministri kinez i Punëve të Jashtme, Vang Ji, i dënoi ashpër sulmet ajrore vdekjeprurëse të Izraelit në Liban, duke thënë se ai dhe qeveria e tij "fuqishëm i dënojnë veprimet të cilat i shkelin normat themelore të rendit ndërkombëtar".

Zëdhënësi i Ministrisë iraniane të Punëve të Jashtme, Naser Kanaani, e paralajmëron Izraelin për "pasoja të rrezikshme" pas sulmit në Liban. 

Sekretari i përgjithshëm i KB-së, Antonio Guteresh i bëri thirrje Izraelit dhe Hezbollahut që menjëherë t’i ndalojnë luftërat, duke thënë se Libani është në prag të humnerës.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Zhozep Borel, tha se numri i viktimave nga sulmet izraelite në Liban është "alarmant" dhe i bëri thirrje Këshillit të Sigurisë së KB-së "ta bëjë pjesën e tij". 

"Urgjentisht duhet ta ndalojmë rrugën drejtë luftës. Të dyja palët duhet të bëjnë armëpushim urgjent", tha Boreli. 

"Ekipi im është në kontakt të vazhdueshëm me kolegët tanë dhe punojmë në qetësimin e situatës në mënyrë që do tu mundësojë njerëzve që të sigurt të kthehen në shtëpitë e tyre", tha presidenti amerikan Xho Bajden. 

Ministria e Punëve të Jashtme të Katarit i dënoi sulmet ajrore, duke thënë se "ky realitet i përkeqëson krizat, e vendos rajonin në prag të humnerës dhe e ekspozon në tensione të reja të cilat do të kenë ndikim të madh në nivel rajonal dhe ndërkombëtar". 

Egjipti publikoi një kumtesë në të cilën e shpreh solidaritetin e tij me Libanin dhe e konfirmon "refuzimin kategorik" të tij në çfarëdo lloj shkelje të sovranitetit të Libanit dhe territoreve të tij.

Jordania, gjithashtu, shprehu solidarizim me Libanin dhe i bëri thirrje KB-së që të veprojnë. 

"Izraeli vazhdon ta shtyjë rajonin drejt humnerës së një lufte gjithëpërfshirëse rajonale, sepse bashkësia ndërkombëtare ka dështuar të mbrojë ligjet dhe vlerat e saj", tha Ajman Safadi, ministër i punëve të jashtme të vendit. fc/

Fotografia: DPA

QËNDRONI TË LIDHUR