RCC: Nominimet për çmimin "Kampion i bashkëpunimit rajonal 2024" janë të hapura
- Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC), në bashkëpunim me Ministrinë Federale për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare të Austrisë (BMEIA), ka hapur nominimet për Çmimin “Kampion i Bashkëpunimit Rajonal Dr. Erhard Busek” për vitin 2024. Çmimi synon të vlerësojë një individ ose organizatë për kontributin e shquar në forcimin e bashkëpunimit rajonal në Evropën Juglindore përgjatë vitit 2024.
- Post By Fami Bajrami
- 23:39, 7 prill, 2025

Shkup, 7 prill 2025 (MIA) - Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC), në bashkëpunim me Ministrinë Federale për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare të Austrisë (BMEIA), ka hapur nominimet për Çmimin “Kampion i Bashkëpunimit Rajonal Dr. Erhard Busek” për vitin 2024. Çmimi synon të vlerësojë një individ ose organizatë për kontributin e shquar në forcimin e bashkëpunimit rajonal në Evropën Juglindore përgjatë vitit 2024.
Nominimet janë të hapura deri më 7 maj 2025, datë pas së cilës një juri do të shqyrtojë aplikimet dhe do të përzgjedhë fituesin në përputhje me kriteret e çmimit.
Më shumë informacione, përfshirë kriteret e pranueshmërisë dhe formularin e nominimit, mund të gjenden në: rcc.int/championofregionalcooperation
Fituesi do të marrë një shpërblim financiar në shumën prej 10,000 EUR, bujarisht mundësuar nga BMEIA.
Ceremonia e ndarjes së çmimit do të mbahet në qershor në Tiranë, në kuadër të Takimit Vjetor të RCC-së.
Përveç shpërblimit monetar, çmimi ofron gjithashtu më tepër mundësi për dukshmëri dhe vlerësim të punës së fituesit. Në mesin e laureatëve të mëparshëm përfshihen Youth Sports Games, No Borders Orchestra, Sarajevo Film Festival, Exit festival dhe shumë të tjerë.
Çmimi “Kampion i Bashkëpunimit Rajonal” është një çmim vjetor, nismë e RCC prej shkurtit të vitit 2013 me rastin e 5-vjetorit të organizatës. Në vitin 2022, çmimi u riemërua në nder të Dr. Erhard Busek, ish-Koordinatori Special i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, paraardhës i RCC-së. Një mbrojtës i përkushtuar i Ballkanit Perëndimor dhe integrimit të tij në Bashkimin Evropian, trashëgimia e Dr. Busek vazhdon të frymëzojë përpjekjet drejt një rajoni më të lidhur dhe bashkëpunues.