• e premte, 05 dhjetor 2025

RCC: Ministrat e jashtëm të SEECP-së shënuan në Nju Jork 30-vjetorin e bashkëpunimit

RCC: Ministrat e jashtëm të SEECP-së shënuan në Nju Jork 30-vjetorin e bashkëpunimit

Shkup, 25 shtator 2025 (MIA)- Ministrat e Punëve të Jashtme të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) u mblodhën për takimin vjetor, zhvilluar në kuadër të Sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork dje i bashkorganizuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) dhe Kryesimi i SEECP-së nga Bullgaria. Kreu i RCC-së, Amer Kapetanoviq ka deklaruar se “SEECP mbetet platforma jonë politike më përfaqësuese, dhe RCC është këtu për ta kthyer frymën e bashkëpunimit në arritje të prekshme për njerëzit”. Takimi i bashkëkryesuar nga Sekretari i Përgjithshëm i RCC, Amer Kapetanoviq, dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Georg Georgiev, shënoi 30-vjetorin e SEECP nën moton “30 Vite të SEECP: Drejt së ardhmes përmes stabilitetit rajonal, sigurisë dhe transformimit të qëndrueshëm”. Agjenda e diskutimit në Nju-Jork pasqyroi këtë fokus drejt së ardhmes, me synimin për të zbatuar prioritetet e përbashkëta në arritje konkrete rajonale.

RCC theksoi evolimin tri-dekadësh të SEECP në forumin politik më gjithëpërfshirës të rajonit dhe përsëriti mbështetjen e tij si krahu operacional i procesit, duke ngritur ura mes dialogut dhe zbatimit konkret përmes tri shtyllave: smart (digjital dhe inovativ), aftësimi (i orientuar drejt njerëzve) dhe qëndrueshmëria (tranzicioni i gjelbër).

“Pas tridhjetë vitesh, SEECP mbetet platforma jonë politike më përfaqësuese, dhe RCC është këtu për ta kthyer frymën e bashkëpunimit në arritje të prekshme për njerëzit. Kjo do të thotë përforcim i zbatimit praktik: ndërlidhje më të mençura, aftësi më të forta dhe rritje më të gjelbërt, të mbështetura nga besimi dhe siguria. Qytetarët tanë duan prova, jo premtime. Me unitetin e treguar sot në Nju-Jork, jam i bindur se mund të shndërrojmë ambicien në veprim dhe ta bëjmë dekadën e ardhshme të bashkëpunimit rajonal me më ndikim deri më tani”, deklaroi Sekretari i përgjithshëm i RCC, Amer Kapetanoviq.

Ministrat e SEECP përgëzuan punën e RCC dhe riafirmuan mbështetjen e tyre të plotë për agjendat rajonale në vazhdim. Për më tepër, ata shkëmbyen mendime për forcimin e stabilitetit dhe sigurisë rajonale, përshpejtimin e transformimit të gjelbërt dhe digjital, si dhe kthimin e prioriteteve të përbashkëta në arritje konkrete për qytetarët, fushat e përafruara me Strategjinë e re dhe me Programin e Punës të RCC 2026–2028, të mbështetur mbi tri shtyllat e sipërpërmendura.

Gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara, më herët këtë javë në Nju -Jork, Sekretari i Përgjithshëm i RCC, Amer Kapetanoviq, nënshkroi një Letër Bashkëpunimi me Ivana Zhivkoviq, Ndihmësekretare e Përgjithshme e OKB-së dhe Drejtore Rajonale e PNUD për Evropën dhe CIS, duke përcaktuar një kornizë për forcimin dhe strukturimin e bashkëpunimit në mbështetje të qeverisjes, zhvillimit të qëndrueshëm dhe rezistencës në gjithë Evropën Juglindore. Ai gjithashtu mori pjesë edhe në takimin e Ministrave të Jashtëm të Nismës Adriatiko-Joniane. Vizita e tij në SHBA do të vazhdojë në Uashington.

QËNDRONI TË LIDHUR