Rasti "Onkologjia 2": Prokuroria pohon për keqpërdorime financiare dhe veprim joadekuat me terapinë, për mbrojtjen aktakuza është e paqartë dhe e paligjshme
- Prokurorja Ana Gogovska Jakimovska pohon se dëshmitë për rastin "Onkologjia 2" konfirmojnë keqpërdorime financiare dhe veprim joadekuat të terapisë në Klinikë, e cila, në vend se në barnatore, përfundonte te drejtori dhe jepej sipas zgjedhjes personale. Ndërkohë, avokati Bobi Spirkovski, avokati i të akuzuarit Nikolla Vasev, e quajti aktakuzën "të paqartë, të paligjshme dhe joprofesionale", duke paralajmëruar se veprime të tilla i shkelin të drejtat kushtetuese dhe krijojnë proces gjyqësor joefikas.
- Post By Ramize Qamili
- 16:07, 6 nëntor, 2025
Shkup, 6 nëntor 2025 (MIA) - Prokurorja Ana Gogovska Jakimovska pohon se dëshmitë për rastin "Onkologjia 2" konfirmojnë keqpërdorime financiare dhe veprim joadekuat të terapisë në Klinikë, e cila, në vend se në barnatore, përfundonte te drejtori dhe jepej sipas zgjedhjes personale. Ndërkohë, avokati Bobi Spirkovski, avokati i të akuzuarit Nikolla Vasev, e quajti aktakuzën "të paqartë, të paligjshme dhe joprofesionale", duke paralajmëruar se veprime të tilla i shkelin të drejtat kushtetuese dhe krijojnë proces gjyqësor joefikas.
Pas përfundimit të gjykimit të sotëm për lëndën në të cilën sot dëshmuan tre dëshmitarë me propozim të Prokurorisë, prokurorja publike Ana Gogovska Jakimovska deklaroi se deklaratat e dëshmitarëve konfirmojnë keqpërdorim financiar dhe veprim joadekuat të klinikës.
"Terapia e cila nuk ka guxuar të jetë te drejtori, ai normalisht e nxirrte nga zyra dhe ua jepte pacientëve sipas zgjedhjes së tij. Ajo terapi duhet të ishte në një barnatore klinike. Dëshmitarët konfirmuan se në emër të pacientëve faturohej terapi e tepërt, që logjikisht çon në përfundimin se ajo përfundonte te i akuzuari Vasev", theksoi Gogovska.
Avokati Bobi Spirkovski, avokat i të akuzuarit Nikolla Vasev, ka kritikuar aktakuzën, duke e quajtur atë "të pasaktë, të paqartë dhe të paligjshme".

"Sot patë se çka do të thotë aktakuzë e keqe - propozohen prova të cilat nuk kanë lidhje me aktakuzën. Më këtë janë shkelur të drejtat kushtetuese, duke përfshirë edhe të drejtën për një procedurë të shpejtë dhe efikase, siç parashikon neni 6 nga Konventa Evropiane", deklaroi Spirkovski, duke shtuar se aktakuzat në PP janë "bërë në mënyrë joprofesionale dhe të paaftë" dhe duhej të ishin tërhequr.
Në seancën e sotme u morën në pyetje tre dëshmitarë: onkologu Nenad Mitrevski, anëtarja e Bordit të drejtorëve, Biljana Grozdanovska dhe Goce Kuzev, djali i një pacienti të mjekuar në Klinikë. Mitrevski dëshmoi për dozat e përshkruara të ilaçit bevacizumab, duke theksuar se një dokument me një dozë prej 1600 mg është shumë e lartë për indikacionin specifik dhe se ai nuk e kishte përshkruar. Grozdanovska foli për mënyrën e vendimmarrjes në Bordin drejtues, duke theksuar se furnizimet kërkonin miratim nga Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi i Sigurimeve Shëndetësore. Ndërkohë, dëshmitari Kuzev deklaroi se terapia e babait të tij vonohej shpesh dhe se pas ndërhyrjeve tek drejtori i atëhershëm, sigurohej nga zyra e tij.
Aktakuza kundër Vasevit dhe Nuhiut ka të bëjë me abuzime, mashtrime dhe përvetësim nga viti 2018 deri në vitin 2022, me dëme prej rreth 36 milionë euro përmes furnizimit të paligjshëm dhe marrje të terapisë. Të akuzuarit mohojnë fajësinë, ndërsa mbrojtja konfirmon se aktakuza është e pabazuar dhe e motivuar politikisht.
Përveç kësaj, kundër Vasilevit dhe dy onkologëve të tjerë udhëhiqet dhe një tjetër rast - Onkologjia 1 për mjekim joadekuat të pacientëve. rq/
Foto: MIA