Raporti i KE-së: Zgjerimi i BE-së është mundësi reale në vitet e ardhshme
- Gjatë vitit të kaluar është bërë përparim i konsiderueshëm në procesin e pranimit dhe, duke pasur parasysh ritmin e përshpejtuar me të cilin po lëvizin disa kandidatë për anëtarësim, zgjerimi i BE-së është një mundësi reale në vitet e ardhshme, thuhet në konkluzionet e Pakos së Raportit të Zgjerimit të Komisionit Evropian.
- Post By Fami Bajrami
- 13:13, 4 nëntor, 2025
Bruksel, 4 nëntor 2025 (MIA) - Gjatë vitit të kaluar është bërë përparim i konsiderueshëm në procesin e pranimit dhe, duke pasur parasysh ritmin e përshpejtuar me të cilin po lëvizin disa kandidatë për anëtarësim, zgjerimi i BE-së është një mundësi reale në vitet e ardhshme, thuhet në konkluzionet e Pakos së Raportit të Zgjerimit të Komisionit Evropian.
“Duke u bazuar në punën e përfunduar në vitet e fundit, tani është koha për veprime konkrete nga vendet e zgjerimit dhe BE-ja”, citohet në këtë pako, e cila përfshin raportet e progresit nga vendet kandidate në rrugën e tyre drejt Unionit.
Konkluzionet theksojnë se çështjet dypalëshe vazhdojnë të ndikojnë negativisht në procesin e pranimit dhe të pengojnë integrimin rajonal të partnerëve të zgjerimit të BE-së.
“Korniza e zgjerimit ofron një mjedis të përgjithshëm politik të favorshëm për zgjidhjen e çështjeve dypalëshe të pazgjidhura dhe gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme reciprokisht, të cilat Komisioni është gati t'i lehtësojë”, nënvizohet në këtë dokument.
Për sa i përket Ballkanit Perëndimor, theksohet se zhvillimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimi rajonal janë elementë thelbësorë të proceseve të Stabilizim-Asociimit dhe Zgjerimit.
“Bashkëpunimi rajonal dhe angazhimi ndaj tregut të përbashkët rajonal janë gjithashtu thelbësorë për integrimin gradual. Kapërcimi i trashëgimisë të së kaluarës dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve që rrjedhin nga konfliktet e viteve 1990 mbeten thelbësore. Çështjet dypalëshe të pazgjidhura, përfshirë ato të trashëgimisë, ende duhet të adresohen, duke përfshirë çështjet kufitare dhe sigurimin e drejtësisë për viktimat e krimeve të luftës, identifikimin e personave të zhdukur dhe krijimin e një regjistri të saktë të krimeve të kaluara në nivel rajonal”, citohet në dokument.
Ai thekson se BE-ja njeh që pajtimi është një proces kompleks dhe për këtë qëllim, përmes instrumenteve dhe politikave të saj të ndryshme, mbetet e gatshme të mbështesë dhe lehtësojë të gjitha këto përpjekje.
Komisioni Evropian përsërit se anëtarësimi në BE është një investim gjeostrategjik në një Evropë të fortë, të qëndrueshme, të sigurt dhe të bashkuar, bazuar në vlera të përbashkëta demokratike, dhe se investimi në zgjerim është në interesin strategjik të sigurisë së Unionit.
“Zgjerimi është dhe do të mbetet një proces rigoroz, i drejtë dhe i bazuar në merita, i bazuar në progresin objektiv të bërë nga secili vend në zgjerim. Kjo kërkon vendosmëri për të zbatuar reforma të pakthyeshme në të gjitha fushat e ligjit të BE-së, me një theks të veçantë në themelet e procesit të zgjerimit. Demokracia, sundimi i ligjit dhe vlerat themelore do të vazhdojnë të jenë gurët themelorë të politikës së zgjerimit të BE-së”, citohet në konkluzionet e pakos së raporteve.
Theksohet se vendet kandidate duhet të angazhohen dhe të zbatojnë reformat e nevojshme, duke siguruar një transformim të qëndrueshëm të ekonomive, sistemeve demokratike dhe shoqërive të tyre, gjë që kërkon që ato të përqafojnë ndryshimet transformuese, të ndërtojnë besim dhe të sigurojnë konsensus ndërshoqëror.
“Anëtarësimi në BE është një zgjedhje strategjike. Partnerët duhet të përqafojnë dhe promovojnë në mënyrë të vendosur dhe të qartë vlerat e BE-së. Përputhja me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së është një sinjal më domethënës se kurrë më parë i vlerave të përbashkëta dhe orientimit strategjik në kontekstin e ri gjeopolitik”, citohet në këtë dokument.
Në konkuluzionet gjithashtu rekomandohet që vendet në zgjerim duhet të shtojnë përpjekjet e tyre, veçanërisht ato që lidhen me objektiva ambicioze për përfundimin e negociatave të pranimit.
“BE-ja, nga ana e saj, e ka mbështetur këtë punë për vite me radhë, përmes fondeve të ndryshme. Ajo ka rishikuar metodologjinë e saj të zgjerimit. Përmes integrimit gradual, ajo u ofron vendeve në zgjerim mundësinë për të përshpejtuar dhe thelluar integrimin e tyre në BE, duke dhënë rezultate konkrete për qytetarët e tyre. Ajo ka zhvilluar një kornizë të përshtatur me instrumente financiare të dedikuara për të mbështetur zgjerimin, duke përfshirë Planet e Zhvillimit për Ballkanin Perëndimor dhe Moldavinë të miratuara së fundmi dhe Planin për Ukrainën, me fondet e tyre përkatëse. Ajo ka përmirësuar bashkëpunimin e sigurisë dhe mbrojtjes me disa vende në zgjerim”, citohet në konkluzionet e raportit.
Në këtë dokument shtohet se BE-ja tani po merr masa për t'u përgatitur për një Union më të madh dhe më të fortë dhe se Komisioni po përgatit rishikime dhe reforma të politikave para zgjerimit, të cilat vlerësojnë ndikimin e këtij procesi në fushat kryesore të politikave.
Në konkluzionet citohet se korniza financiare shumëvjeçare e propozuar e BE-së për periudhën 2028-2034 do të ofrojë mbështetjen e nevojshme financiare dhe politike për të ndihmuar vendet kandidate dhe kandidatët potencialë për anëtarësim të përparojnë në rrugën drejt anëtarësimit në Union.
Komisioni njofton gjithashtu një komunikim të përforcuar mbi zgjerimin, duke theksuar përfitimet e një Unioni të zgjeruar dhe mundësitë për t'u përballur me sfidat, si dhe për të forcuar besimin e publikut në këtë proces.
“Për të siguruar që Shtetet e reja Anëtare të vazhdojnë të mbrojnë dhe të ruajnë rezultatet e tyre në fushat e sundimit të ligjit, demokracisë dhe të drejtave themelore, Komisioni konsideron se traktatet e ardhshme të anëtarësimit duhet të përmbajnë mbrojtje më të forta kundër kthimit prapa në angazhimet e ndërmarra gjatë negociatave të anëtarësimit”, citohet në konkluzionet e Pakos së Raportit të Zgjerimit të Komisionit Evropian.
Foto: arkivi i MIA-s