Raport: Rikonstruimi i Ukrainës do të kushtojë rreth 600 miliardë dollarë
- – Lufta në Ukrainë shkaktoi dëm të drejtpërdrejt në vlerë prej 200 miliardë dollarë, bëhet e ditur në raportin më të ri të Bankës Botërore, Komisionit Evropian, qeverisë ukrainase dhe Kombeve të Bashkuara.
- Post By Fitore Curri
- 16:28, 23 shkurt, 2026
Uashington, 23 shkurt 2026 (MIA) – Lufta në Ukrainë shkaktoi dëm të drejtpërdrejt në vlerë prej 200 miliardë dollarë, bëhet e ditur në raportin më të ri të Bankës Botërore, Komisionit Evropian, qeverisë ukrainase dhe Kombeve të Bashkuara.
Sipas vlerësimeve të tyre që nga fillimi i luftës më 24 shkurt të vitit 2022 deri në fund të dhjetorit të kaluar, dëmi i përgjithshëm është 195,1 miliardë dollarë, ndërsa për rikonstruim të vendit do të nevojiten 587,7 miliardë dollarë në 10 vitet e ardhshme.
Infrastruktura banesore, transportuese dhe energjetike janë dëmtuar më së shumti. Dëmi mbi sektorin banesor vlerësohet në më shumë se 60 miliardë dollarë, ndërsa në sektorin transportues rreth 40 miliardë dollarë.
Më 31 dhjetor 2025, 14 për qind e njësive banesore janë dëmtuar ose shkatërruar, që ndikon në mbi tre milionë amvisëri, theksohet në raport.
Dëm më i madh është shkaktuar në Ukrainën lindore dhe rajonin rreth kryeqytetit Kiev. Rreth 75 për qind e dëmit të përgjithshëm është regjistruar në zonat e frontit.
"Një pjesë e madhe e parave të nevojshme për rindërtim duhet të ndahen për strehim, transport dhe energji. Por mjetet janë gjithashtu të nevojshme për tregtinë dhe industrinë, si dhe për bujqësinë, sigurimet shoqërore, gjenerimin e të ardhurave dhe asgjësimin e mbetjeve shpërthyese të luftës", theksohet në raport.
Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, deklaroi se BE-ja "do të vazhdojë të luajë rol kyç në mbështetjen e rindërtimit dhe rimëkëmbjes së Ukrainës duke mobilizuar më shumë investime private përmes Kornizës së Investimeve për Ukrainën dhe duke inkurajuar reforma kyçe përmes Planit për Ukrainën që do të tërheqin investime dhe do ta sjellin Ukrainën më afër anëtarësimit në BE".
Përderisa koordinatori i KB-së, Matias Shmale, deklaroi se rinovimi i Ukrainës nuk është vetëm çështje e parave.
“Kthimi i refugjatëve, riintegrimi i veteranëve dhe pjesëmarrja e grave në fuqinë e punës do ta rrumbullakojnë rimëkëmbjen ekonomike aq sa edhe rrjedhat kapitale dhe rinovimi i infrastrukturës”, theksoi Shmale. fc/
Foto: EPA