• e diel, 22 dhjetor 2024

Raport: Inteligjenca artificiale mund të paraqesë kërcënim me shuarje të plotë të njerëzve

Raport: Inteligjenca artificiale mund të paraqesë kërcënim me shuarje të plotë të njerëzve

Uashington, 13 mars 2024 (MIA) - Një raport i ri i porositur nga Departamenti amerikan i Shtetit paraqet një pamje të frikshme të rreziqeve "katastrofike" të sigurisë kombëtare nga evolucioni i shpejtë i inteligjencës artificiale (IA) dhe paralajmëron se ka ardhur koha që qeveria federale të reagojë për të shmangur katastrofën.

Konstatimet bazohen në intervistat e kryera gjatë vitit me më shumë se 200 specialistë të tillë si drejtorë ekzekutivë të kompanive kryesore të teknologjisë në IA, studiues të sigurisë kibernetike, ekspertë për armë për shkatëlrrim në masë dhe zyrtarë të sigurisë kombëtare të qeverisë.

Një raport i publikuar këtë javë nga "Gledstoun Ej Aj" thotë kategorikisht se sistemet më të avancuara të inteligjencës artificiale në rastin më të keq "kërcënojnë zhdukjen e plotë të specieve njerëzore".

CNN mori konfirmimin nga një zyrtar qeveritar se Departamenti i Shtetit porositi raportin sepse ai "vlerëson vazhdimisht se si inteligjenca artificiale përputhet me qëllimet e mbrojtjes së interesave amerikane brenda dhe jashtë vendit".

Zyrtari theksoi se raporti nuk përfaqëson pikëpamjet e qeverisë amerikane.

Raporti është një rikujtues tjetër se edhe pse potenciali i IA vazhdon të magjeps investitorët dhe publikun, ka ende rreziqe reale.

"IA është tashmë një teknologji ekonomike transformuese. Na mundëson të kurojmë sëmundjet, të bëjmë zbulime shkencore dhe të kapërcejmë sfidat që dikur ishin të pakapërcyeshme", deklaroi Xheremi Haris, drejtor ekzekutiv dhe bashkëdrejtues i "Gledstoun Ej Aj".

Por mund të sjellë rreziqe serioze, duke përfshirë rreziqe katastrofike për të cilat duhet të jemi të vetëdijshëm. Një numër në rritje i dëshmive, duke përfshirë kërkime dhe analiza empirike të botuara në konferencat kryesore të IA, sugjerojnë se mbi një nivel të caktuar mundësie, IA teorikisht mund të dalë jashtë kontrollit.

Presidenti Xho Bajden nënshkroi një urdhër ekzekutiv për IA, për të cilën një zëdhënës tha se ishte hapi më i rëndësishëm që çdo qeveri në botë ka ndërmarrë për të marrë një angazhim për të menaxhuar rreziqet e inteligjencës artificiale, raportoi CNN. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR