Rama:Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Veliajn është konfirmim se unë nuk e kam kapur të gjithë pushtetin, tani le ta lirojnë nga paraburgimi
- Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në reagimin e parë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, me të cilin Erion Veliaj mbetet në funksionin kryetar i bashkisë së Tiranës, thekson se "ky vendim i gjykatës tregon, para së gjithash, se une nuk e kam kapur të gjithë pushtetin, siç pretendon opozita" dhe shton se gjykata tani, sipas "të njëjtit parim do ta lirojë nga burgu.
Tiranë, 4 nëntor 2025 (MIA) - Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në reagimin e parë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, me të cilin Erion Veliaj mbetet në funksionin kryetar i bashkisë së Tiranës, thekson se "ky vendim i gjykatës tregon, para së gjithash, se une nuk e kam kapur të gjithë pushtetin, siç pretendon opozita" dhe shton se gjykata tani, sipas "të njëjtit parim do ta lirojë nga burgu.
Në një publikim në X ai thekson " disa rrjedhime logjike nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese".
"Nëse Tirana nuk do të ketë zgjedhje deri në 2027-ën dhe Kushtetuesja mendon se kryebashkiaku i burgosur i Tiranës nuk mund të largohet përveçse me zgjedhje, atëherë disproporcioni i mbajtjes së tij në qeli nuk është më thjesht në dëm të lirive e të drejtave kushtetuese të personit, po edhe në dëm të së drejtës kushtetuese të popullit të kryeqytetit për t’u shërbyer nga i zgjedhuri i vet apo jo", shkruan Rama.
Sipas tij, çdo njeri normal që nuk sheh tek qëndrimi i Kushtetueses një qëndrim të verbër kundër qeverisë në dëm të madh të Tiranës, po një qëndrim të vendosur parimor, nuk ka se si të mos presë që me të njëjtën parimësi, kur të gjykojë paraburgimin e tij, Kushtetuesja ta kthejë Erion Veliajn në detyrë.
“Shpresojmë që të gjithë ata që kanë në dorë do të ndihmojnë në zgjidhjen e këtij ngërçi absurd, duke kujtuar se kryeqyteti nuk mund të trajtohet si jetim, në vitet që vijnë”, shkruan Rama.
Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka anuluar vendimin e qeverisë për shkarkimin e Veliajt, të miratuar pas propozimit të Këshilli Bashkiak të Tiranës, dhe i lejon atij të vazhdojë detyrat e tij si kryetar bashkie i Tiranës pavarësisht faktit se ai ka qenë në parabugrim prej disa muajsh. Me këtë vendim, anulohet gjithashtu edhe dekreti i kreut të shtetit, Bajram Begaj për caktimin e datës së zgjedhjeve për kryetar të bashkisë së Tiranës.
Me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), nën dyshimin për korrupsion dhe pastrim parash, ai u arrestua më 10 shkurt të këtij viti dhe dy ditë më vonë iu caktua masa e paraburgimit, të cilën po e vuan në burgun e Durrësit. ls/
Foto: X