Rama Vetëvendosjes së Kurtit: Dëshironi që Thaçi të mbetet përgjithmonë në Hagë
- Kryeminsitri i Shqipërisë, Edi Rama reagoi ashpër ndaj deklaratëssë lëvizjes "Vetëvendosje" të Albin Kurtit, pas paralajmërimit për protestë që do të mbahet nesër në Tiranë, në mbështetje të ish-prijësve të Ushtrisë Çlirimtare të kosovës, të cilët ndodhen në Hagë.
- Post By Arta Bunjaku
- 21:24, 16 tetor, 2025
Tiranë, 16 tetor 2025 (MIA) - Kryeminsitri i Shqipërisë, Edi Rama reagoi ashpër ndaj deklaratëssë lëvizjes "Vetëvendosje" të Albin Kurtit, pas paralajmërimit për protestë që do të mbahet nesër në Tiranë, në mbështetje të ish-prijësve të Ushtrisë Çlirimtare të kosovës, të cilët ndodhen në Hagë.
Sipas Vetëvendosjes, kryeministri shqiptar duhet të tregojë reflektim për Gjykatën Speciale dhe të ngrejë zërin në organe të larta si Këshilli i Evropës dhe OKB-ja për këtë çështje, e jo të organizojë protesta në Tiranë.
Në reagimin e tij, Rama akuzon Vetëvendosjen se po shtrembëron qëndrimet e mëparshme për Gjykatën Speciale, duke theksuar se ai vetë ka denoncuar në çdo rast "farsën ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve", ndërsa, sipas tij, "Vetëvendosja dihet se sa ka lëvizur në atë drejtim".
"Lëvizja Vetëvendosje më paska kushtuar një çarçaf të gjatë, ku shkruan se përpara 10 vjetësh unë paskam qenë pro kurse ajo paska qenë kundër Gjykatës Speciale… Ndërkohë unë e kam denoncuar farsën ndaj Hashim Thaçit e të tjerëve kurdo e kudo ka qenë rasti a nevoja", tha Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare shtoi se nuk është në asnjë garë me Vetëvendosjen, por se i vjen keq që ajo "ngatërron marrëdhëniet institucionale të Kosovës me Shqipërinë në çorbën e balotazheve komunale".
Duke folur për qëndrimet e para dhjetë vjetëve, Rama tha se Vetëvendosja "nuk njihte as himnin e Kosovës, e jo më pafajësinë e Hashim Thaçit, të cilin do ta donte përjetësisht në Hagë".
Ai shtoi gjithashtu se Gjykata Speciale u ngrit për hetimin e pretendimeve për trafik organesh, dhe jo për të “marrë peng Presidentin e Republikës së Kosovës”.
Në fund, Rama sqaroi se nuk është as organizator e as folës i protestës “Drejtësi për Çlirimtarët”, por e mbështet me gjithë zemër, duke theksuar se çdo politizim i saj do të dëmtonte qëllimin dhe mesazhin e protestës.
Fotо: Rama FB