• e diel, 22 dhjetor 2024

Rama pas takimit me Hercogin: E mbështesim armëpushimin, ajo që po ndodh në Rripin e Gazës është shumë serioze

Rama pas takimit me Hercogin: E mbështesim armëpushimin, ajo që po ndodh në Rripin e Gazës është shumë serioze

Tiranë, 12 shtator 2024 (MIA) – Kryeministri shqiptar Edi Rama në konferencën e përbashkët për media në Tiranë, me presidentin e Izraelit, Isak Hercog bëri thirrje për ndërprerje të konfliktit mes Izraelit dhe Palestinës, duke vlerësuar se “lufta kundër terrorizmit është më e vështirë se sa mund të shihet”, njoftoi “Ora njuz”.

“Kemi qenë jemi dhe do jemi përherë në mënyrë të palëkundur kundër çdo formë antisemitizmi dhe kundër çdo shprehje apo intolerance ndaj hebrenjve. Jemi sigurisht shumë të vetëdijshëm se ajo çfarë po ndodh në territoret ku populli i Izraelit dhe populli i Palestinës jetojnë është shumë e rëndë dhe është absolutisht diçka që duhet të marrë fund sa më shpejt. Jemi mjaft të vetëdijshëm se kjo është më e lehtë të thuhet sesa të bëhet. Lufta kundër terrorit është më ë vështirë sesa nga ç’mund të shihet”, tha Rama.

Shtoi se Shqipëria “ka qenë një mbështetëse e armëpushimit dhe çdo përpjekje për të sjellë në shtëpi pengjet dhe për të mirën e të gjithë njerëzve”.

“Jam shumë i pirur të theksoj se ndërkohë që këto janë kohë mjaft të vështira për Izraelin, për popullin e tij dhe për gjithë popullin që jeton në atë vend të botës. E ardhmja do të jetë e ardhme e një Izraeli më të fortë dhe një rajon më të paqtë. Jemi krahëhapur për të mirëpritur të gjithë Izraelitet që duan të vijnë, qofshin turistë, sipërmarrës, artistë shkrimtarë, qofshin njerëz që merren me teknologji apo edhe atyre në moshë që duan të jetojnë në zemër të Shqipërisë”, porositi Rama.

Shefi i shtetit izraelit, Hercog, tha se ndjehet i nderuar që është presidenti i parë izraelit i cili e ka vizituar Shqipërinë, duke shtuar se “është e rëndësishme të jesh mes miqsh në këtë kohë të dhimbshme për Izraelin”, duke theksuar se pasi Hamasi sulmoi Izraelin, “Shqipëria e vendosi veten në anën e duhur të historisë”.

“Po afron viti i parë që kur Hamasi sulmoi brutalisht Izraelin, kur mijëra terroristë hynë në vendin tonë, vranë brutalisht mijëra dhe rrëmbyen qindra izraelitë dhe të huaj në Gazë. Që nga ajo ditë e errët e tetorit, Shqipëria e ka vendosur veten në anën e duhur të historisë, duke treguar edhe një herë se qëndron pranë popullit izraelit ndërsa luftojmë për të mbrojtur popullin dhe kufirin tonë, veçanërisht për ëndrrën për të vendosur paqen mes nesh, të gjithë në rajon mund të jetojnë në paqe”, deklaroi Hercog.

Për fat të keq, ne luftojmë me më shumë se një armik terrorist në të njëjtën kohë.

“Hija e gjakut që lidh të gjithë agjentët e urrejtjes është Irani dhe obsesioni i tij për të shkatërruar shtetin e Izraelit. Ju e njihni mirë këtë regjim. Shqiptarët dhe hebrenjtë ndajnë një histori të gjatë dhe domethënëse”, theksoi ai.

Hercog më parë pati takim me homologun e tij, presidentin Bajram Begaj. fc/

Fotografia: Printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR