Rama: Më 11 maj shqiptarët në takim me historinë, do të përcaktohet forca e Shqipërisë në procesin negociues me BE-në
- Kryeministri i Shqipërisë dhe lideri i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi se më 11 maj shqiptarët do të shkojnë në takim me historinë për ta përcaktuar forcën e Shqipërisë në procesin e negociatave me BE-në.
- Post By Fami Bajrami
- 16:45, 4 maj, 2025

Tiranë, 4 maj 2025 (MIA) - Kryeministri i Shqipërisë dhe lideri i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi se më 11 maj shqiptarët do të shkojnë në takim me historinë për ta përcaktuar forcën e Shqipërisë në procesin e negociatave me BE-në.
“Më 11 maj, shqiptarët nuk do të votojnë thjesht për 4 vitet e ardhshme sa i përket asaj se cila parti çfarë do të bëjë, por do të shkojnë në takim me historinë, për t'u përcaktuar fuqia që Shqipëria do ta ketë në përballje me procesin më sfidues deri më tani për shtetin shqiptar që është procesi i negociatave me BE-në për të cilin kemi një afat deri në fundin e vitit 2027”, deklaroi Rama për A2 Si-En-En.
Për herë të parë, theksoi Rama “që nga rënia e komunizmit, BE-ja na ka hapur derën dhe na ka ofruar të mbyllim bashkërisht negociatat dhe të bëhemi anëtare e BE-së”.
"Dera është e hapur, por nuk duhet ta lejojmë të mbyllet dhe 11 maji luan rol të rëndësishëm në këtë. Shqiptarët mendojnë se vendi po shkon në drejtim të duhur dhe siç tregojnë anketat, ata do të votojnë masivisht për Partinë Socialiste", ka thënë Rama.
Ai shtoi se "shkëputja nga e kaluara dhe veçanërisht shkëputja nga e kaluara jonë, si vend dhe si popull nuk paraqet një moment, por një proces dhe në fakt zinxhirët e së kaluarës ishin shumë të gjatë kur morëm detyrën dhe sot ka mbetur edhe një hallkë e fundit që të ndërpritet dhe me hyrjen e Shqipërisë në BE e kaluara më në fund është e kaluar dhe e ardhmja bëhet e sotme".
Në Shqipëri më 11 maj do të mbahen zgjedhjet parlamentare të 11-ta pas rënies së komunizmit. Rama lufton për mandatin e tij të katërt radhazi, ndërsa kundërshtari i tij, demokrati Sali Berisha për rikthim në pushtet.
foto: EPA