Rama do të marrë pjesë në formimin e Bordit të paqes
- Më 19 shkurt kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të jetë në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, ku do të marrë pjesë në formimin zyrtar të Bordit të paqes.
- Post By Arta Bunjaku
- 12:14, 15 shkurt, 2026
Tiranë, 15 shkurt 2026 (MIA0 - Më 19 shkurt kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të jetë në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, ku do të marrë pjesë në formimin zyrtar të Bordit të paqes.
Këtë e konfirmoi personalisht kryeministri gjatë podkastit javor "Flasim", duke i hedhur poshtë pohimet e opozitës se nuk është ftuar fare për pjesëmarrje në këtë ngjarje.
"Më ka ardhur këtë javë ftesa nga presidenti i Shteteve të Bashkuara për të vizituar Uashingtonin në ditët në vijim për atë që e kam paralajmëruar, kur ajo tufa e bombave artizanale, plaste dhe kërciste edhe në sallën e Kuvendit, me gjithfarëlloj pretendimesh që sot i nxjerrin përsëri qesharakë, duke thënë se unë nuk shkoj dot, se mua s’më kanë ftuar,se,se,se… ", tha Rama.
Dhe faktikisht, siç e paralajmërova, shtoi, do të jem në Uashington për themelimin zyrtar të Bordit të Paqes dhe për fillimin e aktivitetit të atij bordi.
"Shqipëria ka privilegjin të jetë shtet themelues dhe ku Shqipëria nuk do të kontribuojë me para për t’u anëtarësuar apo për të qëndruar si anëtare e përhershme, por kontribuon me dinjitetin dhe me atë që e ka bërë të respektohet ndërkombëtarisht dhe të ftohet, deri në këtë nivel kaq të lartë të diskutimit mbi të ardhmen e paqes", tha Rama. ab/
Foto: printskrin