Rama bën të ditur përbërjen e qeverisë së re, për herë të parë një grua në krye të policisë
- Lideri i socialistëve në pushtet në Shqipëri, Edi Rama ka bërë të ditur përbërjen e re të kabinetit qeveritar me 17 anëtarë- "Rama 4" ku për herë të parë një grua do të drejtojë policinë, Albana Koçiu, ish ministre e Shëndetësisë.
- Post By Fami Bajrami
- 15:00, 11 shtator, 2025
Tiranë, 11 shtator 2025 (MIA) - Lideri i socialistëve në pushtet në Shqipëri, Edi Rama ka bërë të ditur përbërjen e re të kabinetit qeveritar me 17 anëtarë- "Rama 4" ku për herë të parë një grua do të drejtojë policinë, Albana Koçiu, ish ministre e Shëndetësisë.
Në postin e zëvendëskryeministres dhe ministres së infrastrukturës dhe energjetikës mbetet Belinda Balluku, si dhe Piro Vengu në resorin e Mbrojtjes dhe Petrit Malaj për financat.
Ministre e re e Evropës dhe Punëve të Jashtme do të jetë Elisa Spiropali, ish kryetare e Parlamentit.
Ministre e Ekonomisë do të jetë Delina Ibrahimaj, për turizëm Blendi Gonxha, për Arsim Mirela Kumbaro, për Shëndetësi Evis Sala, Besfor Lamalari do të drejtojë Drejtësinë, ndërsa Vetëqeverisja lokale nga Ervin Demo. Toni Goga do të jetë ministër i shtetit për marrëdhënie me Parlamentin. Është formuar edhe ministria e inteligjencës artificiale për furnizime publike.
Gjysma e ministrave janë nga qeveria e mëparshme, disa prej tyre janë transferuar nga një ministri në tjetrën.
Pas kosntutimit të Parlamentit të caktuar për nesër, Edi Rama zyrtarisht do ta dorëzojë listën e ministrave të propozuar deri te presidenti.
Shef i shtetit duhet në afat prej shtatë ditësh të nënshkruajë një dekret dhe më pas brenda 10 ditësh emrat do të hidhen në votim në Kuvend, në të njëjtën seancë ku kryeministri do ta prezantojë programin e qeverisë së re, me prioritete kryesore të përqendruara në reformat për integrimin evropian, nën sloganin "Shqipëria 2030 në BE".
Në seancën konstituive të Parlamentit nesër, në pjesën e dytë do të zgjidhet kryetari i parlamentit ku Rama ka propozuar Niko Peleshin, ish ministër i Mbrojtjes. Kryetari zgjidhet me propozimin e të paktën 15 deputetëve, me votim të fshehtë dhe pa debat me shumicë votash.