• e hënë, 23 dhjetor 2024

Qiproja dhe Britania e Madhe e dërguan ndihmën e parë humanitare në rrugë detare për civilët në Gazë

Qiproja dhe Britania e Madhe e dërguan ndihmën e parë humanitare në rrugë detare për civilët në Gazë

Nikozi, 2 janar 2024 (MIA) - Gati 90 tonë ndihmë humanitare, në mesin e të cilëve dhjetë tonë produkte farmaceutike dërguan Qiproja dhe Britania e Madhe për civilët në Gazë, që njëherësh është edhe ndihma e parë në rrugë detare, pasi Nikozia ka ngritur nismë për hapje të korridorit detar humanitar, informon korrespondentja e MIA-s nga Athina. 

Nga Ministria e Punëve të Jashtme të Qipros njoftuan se ndihma me mjete adekuate detare britanike tashmë ka arritur në portin Port Said në Egjipt prej ku në koordinim me Gjysmëhënën e kuqe të Egjiptit, përmes vendkalimit të dakorduar më herët, do të dërgohet në Gazë.

Për nismën për hapjen e korridorit humanitar detar në një drejtim për popullatën civile në Gazë, nga MPJ qipriote sqarojnë se që nga vetë fillimi kishte parametra specifike. 

Së pari, krijimi i një mekanizmi operacional për marrjen, ruajtjen dhe ngarkimin e sigurt të ndihmave humanitare, me një metodologji që plotëson nevojat e shtuara të sigurisë të palëve të përfshira, dhe së dyti, sigurimi i bashkëpunimit me shtetet që kanë anije që mund të transportojnë ndihma në varësi të zgjedhjes së vendit të dorëzimit (Gazë, Egjipt, Izrael).

"Të dy parametrat u zbatuan dhe u pranuan publikisht nga Izraeli dhe me ndihmën praktike nga Mbretëria e Bashkuar. Këto dy elemente nuk janë të papërfillshme dhe ne vazhdojmë të konsultohemi me palët e tjera të nevojshme, duke përfshirë autoritetet palestineze dhe Kombet e Bashkuara", njoftuan nga MPJ-ja qipriote.

Presidenti i Qipros, Nikos Hristodulidis në një deklaratë me shkrim theksoi se "sot ishte zbatuar nismë në vend për sigurimin e ndihmës humanitare për popullatën në Gazë", nismë në të cilën kanë punuar që të krijohet mekanizëm i sigurt. 

"Bashkësia ndërkombëtare tashmë ka në dispozicion një mundësi praktike për të dërguar ndihmë humanitare shtesë për popullsinë e Gazës. Bashkëpunimi me Izraelin, me Britaninë e Madhe dhe partnerë të tjerë ishte i shkëlqyer. Ne kemi plan konkret për dërgimin e ndihmave shtesë humanitare, gjithmonë duke marrë parasysh rrethanat në terren dhe opsionet e shumta për sa i përket destinacionit. Ne vazhdojmë metodikisht, në bashkëpunim me partnerët tanë dhe duke përfituar nga fakti se Republika e Qipros është një vend anëtar i Bashkimit Evropian, i cili kufizohet me rajonin dhe mban marrëdhënie të shkëlqyera me vendet e rajonit", theksoi Hristodulidis në deklaratën me shkrim. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR