• e shtunë, 28 mars 2026

Qiproja dërgoi rreth 900 ton ndihmë humanitare në Gazë

Qiproja dërgoi rreth 900 ton ndihmë humanitare në Gazë

Nikozi, 27 mars 2026 (MIA) – Pajisje mjekësore, inkubatorë për të porsalindur, produkte higjienike, pajisje si dhe produkte ushqimore, përbëjnë ndihmën humanitare prej rreth 900 tonë që Republika e Qipros dërgoi në Gazë në kuadër të iniciativës "Amaltia" për dërgimin e ndihmës përmes korridorit humanitar detar, informoi shefi i diplomacisë qipriote, Konstantinos Kombos, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Ministri i Punëve të Jashtme të Qipros, duke informuar për zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, iu referua edhe rolit humanitar të vendit i cili tha se nuk mbetet vetëm në fjalë, por është demonstruar edhe në praktikë dhe shpjegoi se dërgesa në Gazë është dërguar më 17 mars, ndihma humanitare mbërriti dje dhe shpërndarja është duke vazhduar.

Ai shpjegoi se transporti është realizuar me mbështetjen e organizatave të KB-së, si UNDP dhe OBSH dhe pjesëmarrjen e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Francës dhe është përdorur Mekanizmi i mbrojtjes civile të Bashkimit Evropian.

Duke folur për situatën në Lindjen e Mesme, ai u bëri thirrje qytetarëve qipriotë të respektojnë rekomandimet e udhëtimit që janë lëshuar, duke vënë në dukje se nuk mund të bëhen parashikime të besueshme për zhvillimin e ngjarjeve dhe në të njëjtën kohë tha se nuk do të ketë riatdhesime të reja të qytetarëve qipriotë nga rajonet e prekura në të ardhmen.

"Prandaj, qytetarëve u kërkohet t'i shqyrtojnë seriozisht rekomandimet aktuale për udhëtim dhe t'i respektojnë ato, veçanërisht kur ato i referohen zonave ku ekziston një rrezik i qartë. Përpjekja për riatdhesim të qytetarëve tanë nga zona të tilla në periudhën e kaluar ishte e vështirë. Përfundoi me sukses, por nuk mund dhe nuk do të përsëritet në të ardhmen. Prandaj, çështja tani duhet të shqyrtohet edhe në kuadër të përgjegjësisë personale të secilit udhëtar që vendos të udhëtojë në kundërshtim me udhëzimet e dhëna në rekomandimet tona të udhëtimit", theksoi Kombos.

Foto: Ministria e Punëve të Jashtme e Qipros

QËNDRONI TË LIDHUR