• e shtunë, 06 dhjetor 2025

Qeveria shqiptare do të japë 10 milionë dollarë për startup-in e Mira Muratit, "Thinking Machines Lab"

Qeveria shqiptare do të japë 10 milionë dollarë për startup-in e Mira Muratit,

Tiranë, 2 maj 2025 (MIA) - Qeveria ka miratuar ndryshimet në buxhetin e 2025, përmes një akti normativ për pjesëmarrjen në startup-in e shqiptares Mira Murati "Machine Thinking Lab".

Sipas mediave shqiptare, vlera e parashikuar për financimin e projektit inovativ do të jetë 10 milionë dollarë ose 1 miliard lekë.

"Financat e kanë argumentuar “nevojën” dhe “urgjencën” për këtë ndryshim të shpejtë të buxhetit me akt normativ me faktin se financimet për startup-in e Mira Muratit duhet të realizohen sa më parë", theksojnë mediat.

Sipas mediave, deri tani, nisma "Machine Thinking Lab", e drejtuar nga shqiptarja, ka arritur të gjenerojë financime me vlerë deri në 2 miliardë dollarë.

Nisur nga afatet e ngushta në dispozicion, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, si institucioni përgjegjës për inovacionin, i ka kërkuar Financave sigurimin e fondeve të nevojshme, në mënyrë që edhe shteti shqiptar të bëhet financues në këtë startup inovator të inteligjencës artificiale.

1 miliardë lekët e nevojshme për të realizuar financimin, pa ndërmarrë ndryshime apo rialokime të tjera fondesh  janë siguruar nga të ardhurat shtesë të depozituara në buxhet nga Agjencia e Administrimit të Pasurisë të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK), si pasojë e performancës së mirë financiare të këtij institucioni.

"MEKI ka argumentuar se startupi i drejtuar nga Mira Murati është një nga projektet më inovative në nivel global në fushën e inteligjencës artificiale, që pritet t’i sjellë përfitime edhe Shqipërisë, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe sa i përket imazhit të vendit dhe pozicionimit në komunitetin botëror teknologjik. Përfshirja e mundshme e shtetit shqiptar në projektin e ri të shqiptares u përmend si mundësi disa javë më parë nga Kryeministri Rama", theksojnë mediat.

Megjithatë, vlerësojnë mediumet, duhet theksuar se ky është një rast "sui generis" ku buxheti ndryshon me akt normativ vetëm për të ndërmarrë një financim të tillë dhe pa arsye të tjera.

Ndryshimet e mëparshme të realizuara me akt normativ kanë qenë kryesisht për rialokime fondesh, por gjithmonë ato kanë patur të paktën 3 ose më shumë arsye që kanë sjellë ndryshimin e buxhetit. sa/

Foto: Murati FB

QËNDRONI TË LIDHUR