• e shtunë, 12 korrik 2025

Qeveria miratoi propozimin për ribalancin e buxhetit, të ardhurat janë projektuar në 362,4 miliardë denarë, shpenzimet kapitale prej 47,5 miliardë denarë

Qeveria miratoi propozimin për ribalancin e buxhetit, të ardhurat janë projektuar në 362,4 miliardë denarë, shpenzimet kapitale prej 47,5 miliardë denarë

Shkup, 19 qershor 2025 (MIA)-  Qeveria sot miratoi Propozimin e ribalancit të buxhetit për vitin 2025. Në konferencën për shtyp, ndryshimet dhe plotësimet i prezantoi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska e cila theksoi se ribalanci i ndjek prioritetet themelore të politikës fiskale, të cilat janë vazhdimi i konsolidimit fiskal, sigurimi i stabilitetit makroekonomik dhe stimulimi i zhvillimit.

“Investimet mbeten prioritet për Qeverinë, e sidomos janë prioritet edhe në Propozimin e ribalancit të Buxhetit, me ç ‘rast qëllimi është që të stimulohet aktiviteti ekonomik dhe të arrihet rritja e projektuar. Ndryshimet dhe plotësimet në buxhet gjithashtu janë vazhdimi i përpjekjeve tona për konsolidimin fiskal dhe menaxhimin e qëndrueshëm të mjeteve publike, respektivisht parave të obliguesve tatimorë", theksoi ministrja.

Të ardhurat e përgjithshme me ribalancin janë projektuar në nivel prej 362.4 miliardë denarësh ose rreth 1% më shumë se buxheti, respektivisht rreth 3.5 miliardë denarë. Shpenzimet e përgjithshme janë planifikuar në nivel prej 403.7 miliardë denarësh dhe gjithashtu shënojnë rritje prej rreth 1%, respektivisht rreth 3.5 miliardë denarë, që kryesisht vjen si rezultat i komponentit zhvillimor.

“Me ndryshimet e propozuara, përkatësisht me ribalancin po rialokojmë mjete financiare ndërmjet shfrytëzuesve buxhetorë, sigurojmë mjete shtesë për pagesën e pandërprerë të pagave, para se gjithash në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ku siguruam rritjen e pagave prej 10% për të punësuarit. Gjithashtu, u siguruan mjete shtesë për pagesën e rritjes së pensioneve dhe për shpenzimet e tranzicionit dhe më e rëndësishmja është sigurimi i mjeteve financiare shtesë në vlerë prej 300 milionë denarësh për shpenzimet kapitale”, potencoi ministrja e Financave.

Ajo nënvizoi se shpenzimet kapitale planifikohen në nivel prej 47.5 miliardë denarësh, të cilat vlerësohen si mjete shtesë për dinamizimin e realizimit të projekteve te të cilat tashmë veçse është konfirmuar zbatimi adekuat i tyre, para se të gjithash në Ministrinë e Mbrojtjes. Gjithashtu, ajo potencoi se vazhdon përkrahja financiare dhe bashkëpunimi i Qeverisë me komunat, për të cilat, me rishpërndarjen paraprake janë siguruar mjete shtesë në vlerë prej 600 milionë denarësh.

“Siç potencoi ajo, sa i përket këtij aspekti, me ribalancin nuk është rishikuar rritja e normës e cila vijon të jetë 3.7%, siç u projektua edhe me Buxhetin për vitin 2025. Realizimet në tremujorin e parë dhe rritja e regjistruar e konsoliduar e PBB-së nga 3% dhe 3.2%, sipas të dhënave sezonale dhe kalendarike është sinjal i qartë se projeksioni është i realizueshëm dhe real. Presim që ky trend të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme, duke u mbështetur nga konsumi vendas, rritja e investimeve në infrastrukturë dhe energjetikë, përkrahja financiare e aktivitetit investues të kompanive prodhuese vendore, por edhe masat për rritjen e të ardhurave në dispozicion të amvisërive”, theksoi Dimitrieska-Koçoska.

Ministrja bëri të ditur se inflacioni është projektuar të jetë në 2.8% dhe se pritet stabilizimi i tij.

Deficiti buxhetor mbetet i pandryshueshëm si në vlerë absolute, po ashtu edhe si përqindje e PBB-së, përkatësisht 41.3 miliardë denarë ose 4% e PBB-së.

 “Ndryshimet dhe plotësimet në Buxhet për vitin 2025 janë konfirmimi i politikës fiskale që kemi udhëhequr vitin e kaluar dhe me të cilën sigurojmë konsolidim dhe stabilizim të gjendjes makroekonomike. Aktiviteti ekonomik po përfiton dinamikë dhe përshpejtim, ku këtë trend do ta ruajmë edhe në periudhën e ardhshme me politikat që po planifikohen me ribalancin. Qasja e disiplinuar në menaxhimin e financave publike do të vazhdojë, deficiti buxhetor mbetet i pandryshuar dhe është në nivelin më të ulët krahasuar me vitin e kaluar ku ishte 4.4%, ndërsa kemi qasje të kujdesshme dhe serioze në menaxhimin e borxhit publik, dhe për këtë, më e rëndësishme është treguesi i uljes së 36 milionë eurove të regjistruara në tremujorin e parë të vitit 2025. Jemi seriozisht të fokusuar të vijojmë me trende të tilla edhe në periudhën afatmesme për të pasur stabilitet makroekonomik që do të sigurojë rritje reale prej rreth 4.5 % dhe standard më të lartë jetese për qytetarët”, nënvizoi ministrja.

Foto: arkivi i MIA-s, printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR