• e hënë, 23 dhjetor 2024

Qeveria greke bëri betimin solemn, nesër seanca e parë e Qeverisë

Qeveria greke bëri betimin solemn, nesër seanca e parë e Qeverisë

Athinë, 27 qershor 2023 (MIA) - Mëngët përveshur dhe shumë punë është mesazhi i një numri të madh ministrash në Qeverinë greke, në deklaratat e tyre të shkurtra pas mbërritjes në pallatin presidencial në qendër të Athinës, ku dhanë sot betimin solemn, lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Në prani të presidentes së Greqisë Katerina Sakelaropulu, kryeministrit Kirjakos Micotakais dhe përpara kreut të Kishës Ortodokse Greke, Kryepeshkopit Jeronimos, përbërja e re e Qeverisë, të gjithë ministrat, ministrat alternativë dhe zëvendësit bënë betimin fetar me përjashtim të një zëvendësministri.

Në Pallatin presidencial kanë mbërritur anëtarët e Qeverisë të shoqëruar nga familjarët dhe menjëherë pas përfundimit të ceremonisë dhe pas betimit, ministrat e rinj u nisën drejt ministrive për të marrë funksionet e paraardhësve të tyre nga Qeveria zyrtare.

Seanca e parë e Qeverisë është caktuar për nesër.

Përbërja e re e qeverisë u bë e ditur dje nga zëdhënësi i ri i qeverisë, Pavlos Marinakis, pasi Kirjakos Micotakis u betua si kryeministër i ri i Greqisë.

Ministër i Punëve të Jashtme do të jetë ish ministri i Shtetit Jorgos Geraptertitis ndërsa në vendet e zëvendësministrave janë  Aleksandra Papadopulu, një diplomate me përvojë, e cila ndër të tjera ka qenë edhe ambasadore e Greqisë në Shkup në të kaluarën, Jorgos Kociras, si dhe Kostas Frankojanis i cili e mban pozitën e deritanishme.

Shefi i mëparshëm i diplomacisë, Nikos Dendias, shkon në Ministrinë e Mbrojtjes, ku do të ketë dy zëvendës.

Në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë Kombëtare vjen Kostis Hazidakis, i cili më parë ka qenë ministër i Punës, ndërsa ministri i mëparshëm, Hristos Stajkuras, në Ministrinë e Mjedisit dhe Energjetikës.

Shefi i deritanishëm alternativ i diplomacisë kompetent për Çështje Evropiane Miltiadis Varviciotis do të jetë ministër i Çështjeve Detare, ndërsa në Ministrinë e Migrimit dhe Azilit vjen profesori Dimitris Keridis.

Ministri i mëparshëm i Politikës Dixhitale, Kirjakos Pierakakis, shkon në Ministrinë e Arsimit për të zëvendësuar Niki Kerameos, e cila është ministrja e re e Punëve të Brendshme.

Në vend të Vasilis Kikilas në Ministrinë e Turizmit, që do të jetë ministër për Krizat Klimatike, vjen Olga Kefalojani.

Në të njëjtën kohë po formohet Ministria e re e Kohezionit Social dhe Familjes në të cilën ministrja dhe zëvendësja  janë gra dhe e vetmja ministri në të cilën nuk ka ndryshime në postin ministror është ajo e kulturës.

Në të gjitha ministritë e tjera ka rotacione në pozitat e larta dhe persona të rinj, si dhe tre ministra shtetëror në Qeveri. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR