• e hënë, 23 dhjetor 2024

Qeveria e Kosovës në periudhën parazgjedhore i rritë pensionet për 20 për qind

Qeveria e Kosovës në periudhën parazgjedhore i rritë pensionet për 20 për qind

Prishtinë, 7 tetor 2024 (MIA) - Katër muaj para zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, të planifikuara për 9 shkurt 2025, kryeministri i Kosovës Albin Kurti sot publikoi se nga ky muaj, pensionet për kategori të caktuara të pensionistëve do të rriten për 20 për qind, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Në konferencën e sotme për media, të mbajtur së bashku me ministrin e Financave, Hekuran Murati, Kurti tha se nga ky muaj do të ketë rritje të pensionit bazë për disa kategori të shfrytëzuesve.

“Sot kam kënaqësinë që të ju jap një lajm të mirë të gjithë pensionistëve. Nga ky muaj, do të rrisim për 20 për qind të gjitha pensionet si në vijim: Pensioni bazik i moshës, kontribut-pagues i plotë dhe parcial, pensioni i aftësisë së kufizuar për fëmijë dhe për të rritur, pensioni për personat e verbër, për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, familjar, invalidor i punës dhe pensioni i parakohshëm për punëtorët e Trepçës”, ka thënë Kurti. 

Ai ka shtuar se nga muaji janar do të ketë rritje për 20 për qind edhe për pensionet e përcaktuara në Ligjin për kategoritë e luftës, “përkatësisht familjeve të dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së, viktimave seksuale të luftës, viktimave civile dhe familjeve të tyre”. 

Ministri i Financave Hekuran Murati deklaroi se nga kjo rritje do të ndikohen 304 mijë e 16 përfitues dhe se ndikimi në buxhet i kësaj rritjeje do të jetë 100 milionë euro shtesë. 

“Falë politikave te mirë menduara e kemi pasur të mundur që të ndërmarrim këtë veprim”, ka theksuar Murati. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR