Qëndrimi i Rusisë "mbetet i pandryshuar" pas propozimit të Trampit për t'i dhënë fund luftës
- Rusia sot kumtoi se qëndrimi i saj ndaj luftës në Ukrainë “mbetet i pandryshuar”, duke iu përgjigjur thirrjes së fundit të presidentit amerikan Donald Tramp për ngrirjen e konfliktit përgjatë vijave ekzistuese të frontit.
Moskë, 20 tetor 2025 (MIA) – Rusia sot kumtoi se qëndrimi i saj ndaj luftës në Ukrainë “mbetet i pandryshuar”, duke iu përgjigjur thirrjes së fundit të presidentit amerikan Donald Tramp për ngrirjen e konfliktit përgjatë vijave ekzistuese të frontit.
Kremlini më parë ka hedhur poshtë thirrjet për armëpushim, duke pohuar se Ukraina do ta përdorë pauzën në luftime për t’u riorganizuar dhe riarmatosur. Prandaj, Moska preferon negociata të drejtpërdrejta për një marrëveshje gjithëpërfshirëse paqeje, por me kusht që Ukraina të lëshojë më shumë territor sesa kontrollon aktualisht.
“Kjo temë është ngritur disa herë, me nuanca të ndryshme, gjatë kontakteve ruso-amerikane, ee pala ruse ka dhënë gjithmonë të njëjtën përgjigje, e cila dihet mirë: Qëndrimi i Rusisë mbetet i pandryshuar”, deklaroi sot zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, transmetohet nga mediat ruse.
Peskov minimizoi vlerën e deklaratave të Trampit, duke i quajtur ato vetëm një "raport gazetaresk" dhe duke shtuar se kishte pasur "shumë deklarata" mbi këtë temë. Ai po i referohej komentit të presidentit amerikan se një armëpushim përgjatë vijës së kontaktit mund të jetë një pararendës i bisedimeve të paqes.
Kremlini kumtoi se Moska do të përpiqet të promovojë bisedime paqësore kur presidenti rus dhe amerikan të takohen në Budapest, megjithëse data e këtij samiti nuk është rënë dakord ende.
"Ende nuk ka detaje rreth takimit për të cilin të dy presidentët kanë rënë dakord", konfirmoi Peskov, transmetohet nga mediat shtetërore ruse.
Komentet e Trampit vijnë pas takimit me presidentin ukrainas Volodimir Zelenski. Kievi ka shpresuar për një marrëveshje për të dërguar raketat amerikane "Tomahavk", por në vend të kësaj u përball me presion nga pretendimet territoriale të Vladimir Putinit.
Sipas "Uashington Post", duke iu referuar burimeve mirinformuara, Putin, në bisedën telefonike me Trampin një ditë para takimit të tij me Zelenskin në Shtëpinë e Bardhë, kërkoi që Kievi t’ia dorëzonte kontrollin e plotë të të gjithë rajonit të Doneckut.
Pranimi i një kërkese të tillë do t’i jepte Putinit një avantazh të rëndësishëm strategjik dhe kontroll mbi rajonin, pushtimi i plotë i të cilit, sipas analistëve, përndryshe do të zgjaste me vite. ls/
Foto: EPA