• e premte, 05 dhjetor 2025

Putini: Rusia dhe Kina bashkë kundër sanksioneve të cilat e pengojnë tregtinë globale

Putini: Rusia dhe Kina bashkë kundër sanksioneve të cilat e pengojnë tregtinë globale

Moskë, 30 gusht 2025 (MIA) – Rusia dhe Kina bashkërisht kundërshtojnë sanksionet diskriminuese në tregtinë globale, të cilat e pengojnë zhvillimin botëror socio-ekonomik, deklaroi presidenti rus Vladimir Putin në një intervistë të shkruar për agjencinë kineze të lajmeve Sinhia. 

Të dyja vendet do të vazhdojnë të punojnë në uljen e barrierave të ndërsjella tregtare, tha Putini, para vizitës katërditëshe të partnerit më të madh tregtar rus. 

"Shkurt, bashkëpunimi ekonomik, tregtia dhe bashkëpunimi industrial midis vendeve tona po përparojnë në shumë fusha. Gjatë vizitës sime, sigurisht që do të diskutojmë perspektivat e mëtejshme për bashkëpunim të dobishëm reciprokisht dhe hapa të rinj për ta intensifikuar atë në dobi të popujve të Rusisë dhe Kinës", tha Putini.

Ai theksoi se marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Moskës dhe Pekinit zhvillohen në mënyrë gjithnjë e më intensive dhe arritën “nivel të paparë të lartë”. 

“Që nga viti 2021, tregtia midis Moskës dhe Pekinit është rritur me rreth 100 miliardë dollarë. Sa i përket tregtisë dypalëshe, Kina është liderja e padiskutueshme për Rusinë, ndërsa vitin e kaluar Rusia zuri vendin e pestë midis vendeve të huaja, partnerë të tregtisë së jashtme të Kinës”, tha Putini në intervistë.

Ai e quajti presidentin kinez Si Xhinping mik të tij, duke theksuar se vizita e tij në Rusi në maj ishte sukses i madh. 

Vizita në Kinë vjen në kohë kur ai po bën përpjekje ta ndërpresë ngadalësimin e tregtisë dypalëshe përderisa lufta ruse në Ukrainë zgjat ende, edhe krahas takimit me presidentin amerikan Donald Tramp në Alaskë. 

Kur kombet perëndimore i ndërprenë lidhjet me Rusinë pas pushtimit rus në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, Kina shpejtoi të ndihmojë, duke blerë naftë ruse dhe duke shitur mallra nga automobila deri në elektronikë, gjë që e ngriti tregtinë dypalëshe në 245 miliardë dollarë rekord në vitin 2024. 

Putini dhe Si në vitin 2022 shpallën partneritet strategjik “pa kufizime”. Të dy u takuan më shumë se 40 herë në dekadën e fundit. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR