• e shtunë, 26 prill 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Putini paralajmëron praninë e përforcuar ushtarake ruse në Arktik

Putini paralajmëron praninë e përforcuar ushtarake ruse në Arktik

Moskë, 28 mars 2025 (MIA) - Presidenti rus Vlladimir Putin deklaroi mbrëmë se do të forcojë praninë ushtarake të Rusisë në Arktik, duke paralajmëruar se presidenti amerikan Donald Tramp është “serioz” në qëllimin e tij për të marrë nën kontroll Grenlandën.

Putini tha se presioni i Trampit për kontrollin e Grenlandës nuk është befasues duke pasur parasysh interesin afatgjatë të SHBA-së në territorin e pasur me minerale.

Duke folur në një forum politik në portin Murmansk Artik, Putini ka thënë se SHBA fillimisht ka shqyrtuar planet për të marrë kontrollin e Grenlandës në shekullin e 19-të dhe më pas kanë ofruar ta blejnë atë nga Danimarka pas Luftës së Dytë Botërore.

"Mund të duket e çuditshme vetëm në shikim të parë dhe do të ishte gabim të besohet se kjo është një bisedë ekstravagante e administratës aktuale të SHBA-së", tha Putini. Është e qartë se SHBA do të vazhdojnë të avancojnë sistematikisht interesat e tyre gjeostrategjike, ushtarako-politike dhe ekonomike në Arktik", tha lideri rus gjatë një vizite në nëndetësen bërthamore "Arhangelsk".

Trampi zemëroi pjesën më të madhe të Evropës duke sugjeruar që SHBA duhet në një formë të marrë kontrollin mbi territorin vetëqeverisës të pasur me minerale në territorin e Danimarkës, një aleat i SHBA-së dhe anëtare e NATO-s.

Si një portë detar drejt Arktikut dhe qasjeve veritatlantike me Amerikën e Veriut, Grenlanda ka një vlerë më të gjerë strategjike, pasi si Kina ashtu edhe Rusia kërkojnë të kenë qasje në rrugët ujore dhe burimet e saj natyrore.

Putini ka thënë se Rusia është e shqetësuar për shkak të aktiviteteve të NATO-s në Arktik dhe do të përgjigjet duke forcuar kapacitetet e saja ushtarake në rajonin polar.

"Sigurisht, ne jemi të shqetësuar që anëtaret e NATO-s e përshkruajnë Veriun e largët si një rajon me konflikte të mundshme", tha ai, duke shtuar se Finlanda dhe Suedia fqinje i janë bashkuar Aleancës. Rusia nuk ka kërcënuar kurrë askënd në Arktik, por me kujdes do të monitorojmë nga afër zhvillimet dhe do të përgjigjemi siç duhet duke rritur kapacitetet tona ushtarake dhe duke modernizuar infrastrukturën tonë ushtarake".

"Numri i personelit ushtarak në Arktik do të rritet", ka thënë mes tjerash Putini.

Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR