• e premte, 05 dhjetor 2025

Putini e ndërpreu marrëveshjen me SHBA-në për përpunimin e plutoniumit

Putini e ndërpreu marrëveshjen me SHBA-në për përpunimin e plutoniumit

Moskë, 27 tetor 2025 (MIA) - Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi sot një ligj që de fakto i jep fund marrëveshjes tashmë të vjetëruar midis Rusisë dhe SHBA-së për përpunimin e plutoniumit, e cila kishte për qëllim të parandalonte të dyja palët nga prodhimi i edhe më shumë armëve bërthamore.

Traktati për menaxhimin dhe përpunimin e plutoniumit, i nënshkruar në vitin 2000 dhe i ndryshuar në vitin 2010, i angazhoi Rusinë dhe SHBA-në të përpunonin rezervat e tyre të mëdha të plutoniumit të krijuara gjatë Luftës së Ftohtë në karburant që mund të përdoret në prodhimin e energjisë bërthamore. Secila palë u zotua të riciklonte 34 ton plutonium.

Zyrtarët amerikanë vlerësuan se marrëveshja eliminoi materialin e nevojshëm për të prodhuar ekuivalentin e 17,000 armëve bërthamore.

Në vitin 2016, Putini nxori një dekret që pezullonte pjesëmarrjen e Rusisë në traktat në kontekstin e përkeqësimit të marrëdhënieve midis dy fuqive gjatë presidencës së Barak Obamës.

Ligji që Putini nënshkroi sot, të cilin ligjvënësit rusë e kishin miratuar tashmë në tetor, përbën një tërheqje formale nga traktati.

Autoritetet perëndimore e kanë akuzuar Moskën për përdorimin e kërcënimeve bërthamore që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Brenda disa ditësh nga fillimi i ofensivës, Putini i vuri forcat bërthamore të Rusisë në gatishmëri maksimale. Në vitin 2024, ai nënshkroi një dekret që ulte pragun për përdorimin e armëve bërthamore.

Putin njoftoi dje se Rusia kishte kryer me sukses testin përfundimtar të raketës së saj të re me energji bërthamore, "Burevestnik".

Bisedimet e paqes midis Moskës dhe Kievit kanë ngecur pavarësisht ndërmjetësimit të presidentit të SHBA-së Donald Tramp, i cili është zotuar ta përfundojë shpejt konfliktin pas kthimit në Shtëpinë e Bardhë në janar. Tramp të martën shtyu për një kohë të pacaktuar një takim të planifikuar me Putinin në Budapest, duke thënë se nuk donte të zhvillonte bisedime "të kota". sa/

Foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR