• e premte, 05 dhjetor 2025

Putini e mblodhi Këshillin e Sigurisë të Rusisë për ta informuar për bisedën me Trampin

Putini e mblodhi Këshillin e Sigurisë të Rusisë për ta informuar për bisedën me Trampin

Moskë, 17 tetor 2025 (MIA) - Presidenti rus Vladimir Putin i informoi anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurisë të Rusisë për përmbajtjen e bisedës së tij të djeshme me homologun e tij amerikan Donald Tramp, deklaroi sot ndihmësi i presidentit rus, Jurij Ushakov. 

“Mbrëmë, menjëherë pas bisedës telefonike me presidentin amerikan Donald Tramp, presidenti rus Vladimir Vladimiroviç Putin mblodhi anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurisë në Kremlin dhe i informoi ata në detaje rreth përmbajtjes së shkëmbimit të mendimeve me homologun e tij amerikan”, tha Ushakov, i transmetuar nga mediat ruse. 

Gjatë bisedës së mbrëmshme telefonike Trampi dhe Putini u dakorduan për një takim të nivelit të lartë të delegacioneve të tyre, pas së cilit të dy është planifikuar të takohen në Budapest. 

"Presidenti Putin dhe unë do të takohemi në një vend të rënë dakord në Budapest për të parë nëse mund t’i japim fund kësaj lufte famëkeqe midis Rusisë dhe Ukrainës”, shkroi Trampi në profilin e tij në Truth Social. 

Ai deklaroi se ai dhe Putini patën një diskutim të gjatë për tregtinë midis Rusisë dhe SHBA-së pas përfundimit të luftës me Ukrainën.

Ai theksoi se Putini e uroi Trampin për "arritjen e madhe të paqes" në Lindjen e Afërt, për të cilën "ëndërronin me shekuj".

"Unë besoj vërtet se suksesi në Lindjen e Afërt do të ndihmojë në negociatat tona për t'i dhënë fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës", tha presidenti amerikan. ls/ 

Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR