• e martë, 26 nëntor 2024

Putini e hapi samitin e liderëve të BRIKS: Po formohet një botë shumëpolare

Putini e hapi samitin e liderëve të BRIKS: Po formohet një botë shumëpolare

Kazan, 23 tetor 2024 (MIA) - Presidenti rus Vladimir Putin, në cilësinë e nikoqirit të samitit të BRIKS-it në Kazan, sot e hapi takimin e liderëve të "dhjetëshes".

Në hapjen e takimit, Putini tha se "po formohet një botë shumëpolare".

"Procesi i formimit të një bote shumëpolare është në vijim, një proces dinamik dhe i pakthyeshëm", tha Putini në fillimin e samitit, me të cilin Kremlini mundohet të kundërpeshojë hegjemoninë perëndimore".

Presidenti rus shtoi se rreth 20 liderë janë mbledhur në Kazan për të diskutuar për "çështjet më urgjente", duke i përfshirë edhe çështjet për "zgjidhjen e konflikteve rajonale".

Sipas tij, të gjitha vendet-anëtare të BRIKS-it, jo me fjalë, por me vepra, kanë ndikim pozitiv ndaj stabilitetit në botë.

"Të gjitha vendet tona deklarohen për barazi, fqinjësi të mirë dhe respekt të ndërsjellë, për afirmim të idealeve të larta të miqësisë dhe marrëveshjes, për prosperitet dhe mirëqenie universale, tregojnë përgjegjësi për të ardhmen e botës jo me fjalë, por me vepra. "Ata tregojnë një ndikim vërtet pozitiv në situatën në sferën e stabilitetit dhe sigurisë globale, ata japin një kontribut të rëndësishëm në zgjidhjen e problemeve akute rajonale," tha udhëheqësi rus.

Putini theksoi se grupi do të bisedojë për zgjerimin e tij, duke e marrë parasysh nevojën e mbajtjes së efektivitetit. Ai shtoi se më shumë se 30 vende kanë shprehur dëshirë të përfshihen në BRIKS.

Në samitin treditësh në Kazan do të diskutohet edhe për çështjet siç janë zgjerimi i pagesës në valuta nacionale dhe vendosja e kategorisë "vende partnerë të BRIKS-it", një lloj alternative për zgjerimin e mëtejshëm të asociacionit, e cila kohë më parë dyfishoi përbërjen e saj nga pesë në dhjetë vende.

Pritet që takimi i liderëve të vazhdojë pas dyerve të mbyllura, Pastaj do të vijojë takim në format të zgjeruar me pjesëmarrjen e delegacioneve dhe planifikohet të hapet për mediat.

BRIKS, i cili fillimisht përbëhej nga Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut, u zgjerua dhe i përfshiu Iranin, Egjiptin, Etiopinë, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabinë Saudite.

Turqia, Azerbejxhani dhe Malejzia dorëzuan kërkesë për anëtarësim, ndërsa interesim për përfshirje shprehën edhe disa vende.

 Në margjinat e samitit, Putini do të ketë takime të shumta dypalëshe. Për nesër është planifikuar takim edhe me sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Antonio Guteresh, i cili në mëngjes mbërriti në vizitën e parë në Rusi pas më shumë se dy vitesh.

Këshilltari i politikës së jashtme të Kremlinit, Jurij Ushakov, tha se Rusia e përshëndet nismën paqësore të Kinës dhe Indisë për Ukrainën, për të cilën u diskutua gjatë takimeve dypalëshe në margjinat e forumit BRIKS në Kazan. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR