Putin vlerëson lidhjet "e papara" me Kinën në fillim të bisedimeve me presidentin kinez Si
- Presidenti kinez Si Xhinping dhe homologu i tij rus Vlladimir Putin filluan bisedimet dypalëshe në Pekin, në pritje të parakalimit të madh ushtarak në kryeqytetin kinez, transmetoi Bi-Bi-Si.
- Post By Ramize Qamili
- 08:11, 2 shtator, 2025
Pekin, 2 shtator 2025 (MIA) - Presidenti kinez Si Xhinping dhe homologu i tij rus Vlladimir Putin filluan bisedimet dypalëshe në Pekin, në pritje të parakalimit të madh ushtarak në kryeqytetin kinez, transmetoi Bi-Bi-Si.
Putin vlerësoi marrëdhëniet midis dy vendeve, duke thënë se ato ishin në një "nivel të paparë", duke shtuar se "komunikimi i tyre i ngushtë pasqyron natyrën strategjike të lidhjeve ruso-kineze".
"I dashur mik, unë dhe i gjithë delegacioni rus jemi të kënaqur që takohemi përsëri me miqtë dhe kolegët tanë kinezë", i tha Putini presidentit kinez, sipas një videoje të publikuar në faqen zyrtare të Kremlinit në Telegram.
"Komunikimi ynë i ngushtë pasqyron natyrën strategjike të marrëdhënieve midis Rusisë dhe Kinës, të cilat janë në një nivel të paparë të lartë. Ne gjithmonë ishim bashkë atëherë dhe mbetemi bashkë edhe tani", shtoi Putin.
Si i tha Putinit se "marrëdhëniet midis Kinës dhe Rusisë i kanë rezistuar provës së ndryshimeve ndërkombëtare", duke shtuar se Pekini është i gatshëm të punojë me Moskën për të "promovuar ndërtimin e një sistemi qeverisjeje globale më të drejtë dhe të arsyeshëm".
Si nesër do të organizojë parakalimin më të madh ushtarake të Kinës me të cilën do të shënojë 80-vjetorin e kapitullimit të Japonisë në Kinë në fund të Luftës së Dytë Botërore.
Kjo vjen në një kohë kur Si po përpiqet të projektojë fuqinë e Pekinit në skenën ndërkombëtare - jo vetëm si ekonomia e dytë më e madhe në botë, por edhe në diplomaci.
Ai theksoi rolin e Kinës si partner i qëndrueshëm tregtar, derisa "doganat presidentit amerikan, Donald Tramp, kanë dëmtuar marrëdhëniet ekonomike". rq/
Foto: EPA