Putin: Rusia po fiton në “betejën e drejtë” ndaj Ukrainës
- Presidenti rus Vlladimir Putin deklaroi se forcat ruse po fitojnë "betejën e drejtë" në Ukrainë.
- Post By Fami Bajrami
- 08:29, 30 shtator, 2025
Moskë, 30 shtator 2025 (MIA) - Presidenti rus Vlladimir Putin deklaroi se forcat ruse po fitojnë "betejën e drejtë" në Ukrainë.
"Ne bëmë atë që duhej bërë dhe jemi krenarë për këtë. Mbështetëm vëllezërit dhe motrat tona në vendimin e tyre të fortë dhe të përgjegjshëm. Sot, duke mbrojtur këtë zgjidhje, luftëtarët dhe komandantët tanë po kalojnë në ofensivë. I gjithë vendi, e gjithë Rusia po lufton në një betejë të drejtë dhe po punon me intensitet", ka thënë Putini në një video-paraqitje të publikuar në ueb faqen e Kremlinit.
Ai theksoi se Rusia po lufton për të mbrojtur interesat kombëtare, historinë, gjuhën, kulturën dhe besimin. “Ne po luftojmë dhe po fitojmë. Së bashku po mbrojmë dashurinë për atdheun dhe unitetin e fatit tonë historik", shton lideri rus.
Rusia filloi invazion në shkallë të plotë ndaj Ukrainës më 24 shkurt 2022, duke e quajtur atë një "operacion ushtarak special" për të demilitarizuar dhe "denazifikuar" shtetin fqinj. Kievi dhe aleatët e tij perëndimor e vlerësojnë atë si një agresion të pajustifikuar imperialist për okupim të territorit ukrainas.
Lufta vazhdon edhe krahas përpjekjeve diplomatike nga presidenti amerikan Donald Tramp i cili ka organizuar takime të nivelit të lartë me Putinin, presidentin ukrainas Volodimir Zelenski dhe liderët evropianë.
Sipas hartave të fushëbetejës, Rusia për momentin kontrollon rreth 114.500 kilometra katrorë ose 19 për qind të Ukrainës, duke përfshirë Krimenë dhe pjesë të rajoneve lindore dhe juglindore.
Foto: arkivi