Putin: Disa njerëz të Perëndimit nuk e kuptojnë Rusinë
- Disa njerëz nga Perëndimi nuk e kuptojnë Rusinë, por ky fakt nuk e pengon zhvillimin e vendit, deklaroi presidenti rus, Vlladimir Putin, transmetojnë mediat ruse.
- Post By Qefsere Abduli
- 09:12, 27 mars, 2025

Moskë, 27 mars 2025 (MIA) - Disa njerëz nga Perëndimi nuk e kuptojnë Rusinë, por ky fakt nuk e pengon zhvillimin e vendit, deklaroi presidenti rus, Vlladimir Putin, transmetojnë mediat ruse.
Presidenti rus këtë deklaratë e dha dje gjatë mbledhjes së bordit mbikëqyrës të organizatës "Lëvizja e të parëve", organizatë ruse për fëmijë dhe të rinj.
"Ka njerëz në të ashtuquajturin Perëndim që nuk e kuptojnë Rusinë. Por, kjo nuk na pengon të jetojmë dhe të zhvillohemi. Kjo vetëm duhet të na motivojë ta rrisim numrin e njerëzve të cilët na kuptojnë dhe dëshirojnë të jetojnë me neve në paqe dhe miqësi", tha Putini.
Një synim i tillë mund të arrihet përmes punës së gjerë me të rinjtë, theksoi ai.
"Në këtë zonë na pret suksesi nëse punojmë në mënyrë aktive dhe efektive me të rinjtë, fëmijët, adoleshentët, ata të cilët i krijojnë themelet e së ardhmes së vendit dhe e vlerësojnë këtë vend", shtoi ai. qa/
Foto: EPA