Putin dhe Si: Takimi thellon marrëdhëniet miqësore midis Kinës dhe Rusisë dhe dërgon një mesazh për Perëndimin
- Presidentët e Rusisë dhe Kinës, Vlladimir Putin dhe Si Xhinping sot përfunduan se takimi i tyre në Moskë është mundësi që të dy vendet ta thellojnë "miqësinë pa kufij" dhe të dërgojnë mesazh të fuqishëm te liderët perëndimor se përpjekjet e tyre për ta izoluar Moskën për shkak të luftës në Ukrainë nuk arritën.
- Post By Sara Ademi
- 19:50, 20 mars, 2023
Moskë, 20 mars 2023 (MIA) - Presidentët e Rusisë dhe Kinës, Vlladimir Putin dhe Si Xhinping sot përfunduan se takimi i tyre në Moskë është mundësi që të dy vendet ta thellojnë "miqësinë pa kufij" dhe të dërgojnë mesazh të fuqishëm te liderët perëndimor se përpjekjet e tyre për ta izoluar Moskën për shkak të luftës në Ukrainë nuk arritën.
Në fillim të takimit, Putin e uroi presidentin Si për rizgjedhjen e tij dhe tha se "është pak xheloz" për faktin se në vitet e fundit Kina ka bërë "një hap kolosal përpara në zhvillimin e saj që shkaktoi interesim të vërtetë përreth botës", transmeton Beta.
Lideri rus theksoi se në 10 vitet e fundit qarkullimi tregtar i të dy vendeve është rritur më shumë se dyfish. Ai gjithashtu tha se Moska është e njoftuar dhe e respekton nismën kineze për zgjidhje të qetë të konfliktit në Ukrainë dhe se për këtë do të bisedojë me Si.
Si në takim tha se "pala kineze lartë i vlerëson marrëdhëniet me Rusinë, të cilat kanë logjikë historike". Ai e falënderoi Putinin që "pozitivisht e vlerëson zhvillimin dhe ndërtimin e Kinës", dhe që vazhdon ta mbështesë Pekinin.
"Në një botë që po bëhet gjithnjë e më shumë multipolare, SHBA-ja dhe aleatët e saj nuk kanë qenë në gjendje të ndërtojnë një front të gjerë kundër Putinit. Ndërsa 141 vende dënuan Moskën në votimin e Kombeve të Bashkuara në përvjetorin e parë të hyrjes së trupave ruse në Ukrainë, disa anëtarë të G20, duke përfshirë Indinë, Kinën dhe Afrikën e Jugut, abstenuan, tha Si.
Duke i komentuar zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Rusi në vitin 2024, lideri kinez tha se është i bindur që populli rus do të vazhdojë ta mbështesë Putinin "nën udhëheqësinë e fuqishme të të cilit Rusia u zhvillua dhe përparoi".
Në intervistë për mediat kineze para takimit, Putin vizitën e Si e përshkroi si "ngjarje të rëndësishme" që e konfirmon natyrën e veçantë të partneritetit ruso-kinez dhe dërgon mesazh në Uashington se të dy vendet nuk i pranojnë përpjekjet e tij për t'i dobësuar.
"Politika e SHBA-së për të frenuar njëkohësisht Rusinë dhe Kinën, si dhe të gjithë ata që nuk respektojnë diktatet amerikane, bëhet gjithnjë më e ashpër dhe më agresive", tha lideri rus.
Sekretari shtetëror amerikan Entoni Blinken vlerësoi se vizita e sotme e presidentit kinez Si Xhinping në Moskë, pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë lëshoi urdhëresë për arrestimin e Putinit, sugjeron se Pekini nuk mendon që Kremlini duhet të përgjigjet për krimet në Ukrainë.
"Bota nuk duhet të mashtrohet nga asnjë lëvizje taktike e Rusisë, e mbështetur nga Kina apo ndonjë vend tjetër, për të ngrirë luftën sipas kushteve të veta", tha Blinken, transmeton Bi-Bi-Si.
Një takim i liderit kinez me kryeministrin rus Mihail Mishustin është planifikuar për nesër, si dhe janë planifikuar bisedime zyrtare në një format të zgjeruar me Putinin dhe anëtarët e qeverisë ruse. sa/