• e hënë, 23 dhjetor 2024

Putin dhe Abas në Moskë diskutuan për situatën në Lindjen e Afërt

Putin dhe Abas në Moskë diskutuan për situatën në Lindjen e Afërt

Moskë, 13 gusht 2024 (MIA) - Presidenti rus Vladimir Putin sot në Moskë u takua me presidentin palestinez Mahmud Abas, me ç'rast theksoi se Rusia po monitoron nga afër situatën në Lindjen e Afërt.

"Ajo që po ndodh në Lindjen e Afërt, ajo që po ndodh në Palestinë, na tërheq natyrshëm vëmendjen”, tha Putin, transmeton DPA.

Abas e theksoi marrëdhënien e ngushtë të autoritetit palestinez me Rusinë, e cila, sipas tij, gjatë kohë e  ka mbështetur kauzën e tyre.

“Ne besojmë tek ju, ju besojmë, e ndjejmë mbështetjen tuaj”, shtoi ai.

Putin, megjithatë, e përsëriti mbështetjen e Moskës për një shtet palestinez plotësisht sovran.

“Për të krijuar paqe të qëndrueshme dhe të sigurt në rajon, duhet të respektohen të gjitha rezolutat e OKB-së dhe mbi të gjitha duhet të krijohet një Palestinë plotësisht sovrane”, tha ai.

Abas, 88 vjeç, është lideri i organizatës laike Fatah dhe Autoritetit autonom palestinez në Bregun Perëndimor, por ka humbur popullaritet të konsiderueshëm për shkak të paaftësisë së tij për të ndaluar dhunën e kolonëve izraelitë kundër palestinezëve.

Fatah humbi kontrollin e Rripit të Gazës nga grupi radikal islamik Hamas në vitin 2006 dhe u dëbua me forcë nga rajoni bregdetar.

Dy lëvizjet rivale, së bashku me grupet e tjera palestineze, së fundmi nënshkruan një deklaratë për unitet palestinez nën patronazhin e Kinës. Qëllimi është krijimi i një qeverie të unifikuar, sipas mediave palestineze.

Mediat ruse pretendojnë se vendi është një nga fuqitë e pakta botërore që punon për unitetin palestinez. ls/

Foto: DPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR