• e hënë, 23 dhjetor 2024

Publikohet agjenda për takimin Kurti – Vuçiq në Ohër

Publikohet agjenda për takimin Kurti – Vuçiq në Ohër

Shkup, 15 mars 2023 (MIA) - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, të shtunën në Ohër do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Kurti dhe Vuçiq tashmë kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim, njofton Radiotelevizioni i Kosovës.

Televizioni i Kosovës informoi se sipas njoftimit zyrtar të marrë nga delegacioni i BE-së në Prishtinë, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Zhozep Borell dhe Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, fillimisht do të zhvillojë takime të ndara me Kurtin dhe Vuçiqin, e më pas takim të përbashkët me ta. Ata pritet të diskutojnë dhe nënshkruajnë zbatimin e planit evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Sipas paralajmërimeve nga delegacioni i BE-së në Prishtinë, takimi i parë pritet të fillojë në ora 10:00. Delegacioni i BE-së në Prishtinë thekson se pas të gjitha takimeve është planifikuar deklarata e Borelit për media.

Nikoqir i takimit në Ohër, i paralajmëruar për 27 shkurt, do të jetë kryeministri Dimitar Kovaçevski. Në pyetjen e MIA-s muajin e kaluar nëse kryeministri Kovaçevski do të pranonte të jetë nikoqir i këtij takimi, Qeveria u përgjigj pozitivisht dhe theksoi se propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është jashtëzakonisht i rëndësishëm për të ardhmen dhe stabilitetin e rajonit, ndërsa Maqedonia e Veriut edhe një herë e dëshmon atë faktor stabiliteti, përkatësisht vend anëtar i NATO-s, i cili i ka nisur negociatat me BE-në dhe si shtet që kryeson OSBE-në, organizatën më të madhe të sigurisë në Evropë.

Takimi mes presidentit serb Vuçiç dhe kryeministrit të Kosovës Kurti me zyrtarët e BE-së në Bruksel në fund të muajit të kaluar përfundoi pa marrëveshje, por komisioneri evropian për Punë të Jashtme Borell tha në atë kohë se Vuçiç dhe Kurti ranë dakord se nuk nevojiteshin bisedime të mëtejshme për propozimin evropian dhe se është një kuadër për normalizimin e marrëdhënieve mes dy palëve. Borell theksoi se bisedimet ishin intensive dhe se Vuçiq dhe Kurti treguan përgjegjësi. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR