Protesta para selisë së USAID-it në Uashington pas kërcënimeve për mbylljen e agjencisë
- Rreth një mijë njerëz u tubuam mbrëmë para selisë së Agjencisë amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në një protestë të zëshme pasi presidenti Donald Tramp dhe miliarderi Ilon Mask nga Departamenti për Qeverisje Efektive (DOGE) ndaluan hyrje të punonjësve në selinë e agjencisë.
- Post By Fami Bajrami
- 08:04, 4 shkurt, 2025

Uashington, 4 shkurt 2025 (MIA) - Rreth një mijë njerëz u tubuam mbrëmë para selisë së Agjencisë amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në një protestë të zëshme pasi presidenti Donald Tramp dhe miliarderi Ilon Mask nga Departamenti për Qeverisje Efektive (DOGE) ndaluan hyrje të punonjësve në selinë e agjencisë.
Protestës i janë bashkangjitur edhe disa anëtarë të Kongresit, si senatorët nga Merilend, Kris Van Hollen dhe Xhejmi Raskin, të cilët ndanë informacione për atë se çka po ndodh me USAID-in. Ata deklaruan se hyrja në seli ishte e mbyllur dhe e rrethuar me shirit të verdhë dhe se serverët e kompjuterëve ishin konfiskuar, ueb faqja e USAID-it është shkyçur, ndërsa pagesat për disa kontraktorë janë ndërprerë.
Demokratët e akuzojnë Maskin për "çmontimin" e agjencisë.
Sipas ligjvënësve, procedura të tilla janë të paligjshme, skandaloze dhe jokushtetuese. Ata theksuan se agjencia u krijua me një akt të Kongresit, i cili vendos nëse duhet të mbyllet apo jo.
"Si anëtar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës Përfaqësuese, i bëj thirrje presidentit Tramp dhe sekretarit të tij të Shtetit, Marko Rubio që të ndal këto marrëzi dhe të respektojnë ligjin. Veprimet e paarsyeshme të presidentit Tramp dhe Ilon Maskut për të mbyllur dyert e USAID-it janë të turpshme, të çudishme dhe një vazhdimësi e spastrimeve arbitrare të kësaj administrate kundër përpjekjeve të gjata të qeverisë për të ndihmuar njerëzit më të cenueshëm në botë", deklaroi Kvesi Mfume, anëtar demokratik në Dhomën Përfaqësuese.
Shtëpia e Bardhë dhe Mask po përballen me padi nga disa organizata për mbrojtjen e punëtorëve federalë. rq/bsh/
Foto: arkivi i MIA-s