• e martë, 24 dhjetor 2024

Propozohet paraburgim për shoferin e aksidentit të rëndë në "Siti moll"

Propozohet paraburgim për shoferin e aksidentit të rëndë në
Shkup, 21 janar 2022 (MIA) - Prokuroria Themelore Publike në Shkup solli urdhër për  procedurë hetuese kundër  një personi për të cilin ekziston dyshimi se  i ka kryer veprat penale - Vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik, si dhe mosdhënia e ndihmës  për personin e lënduar në aksident. Siç informojnë nga PP, i dyshuari më 20 janar, si pjesëmarrës në trafikun e rrugëve publike, ka drejtuar automjetin Citroen C4 nëpër bulevardin "Arradhat partizane". Kur ka arritur në udhëkryqin  me rrugët "Moskovska" dhe "Lublanska", ku semaforët ishin të shkyçur nga programi dhe kanë punuar me dritë të verdhë, ai ka vepruar në kundërshtim me nenin 19 të Ligjit për siguri në komunikacionin e rrugëve, gjegjësisht  edhe pse  ishte i detyruar nuk u kushtoi vëmendje këmbësorëve në rrugë. "Në kundërshtim edhe me nenin 35, duke u afruar drejt vendkalimit të shënuar për këmbësorë,  i dyshuari ka vozitur automobilin me shpejtësi më të madhe se 50 kilometra në orë, gjë që e ka penguar të ndalojë në kohë mjetin në rast nevoje. Me pjesën e përparme të automjetit ka goditur në dy  këmbësorë të cilët kanë kaluar  në vendkalimin e shënuar për këmbësorë. Vajza  e goditur ka marrë lëndime të rënda trupore dhe ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa këmbësori tjetër i lënduar është dërguar në spital", njoftuan nga Prokuroria Publike. Ata theksojnë  se shoferi i dyshuar i ka lënë pa ndihmë personat e lënduar dhe  ka qëndruar në automobilin e tij deri në mbërritjen e ekipit inspektues. Meqenëse ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezikun e arratisjes, mundësia që i dyshuari të ndikojë mbi dëshmitarët ose ekspertët dhe në këtë mënyrë të pengojë procedurën penale, si dhe frikën e arsyeshme se mund ta përsërisë veprën penale, prokurori publik kompetent te gjyqtari i procedurës paraprake nga Gjykata Themelore  Penale në Shkup ka paraqitur propozim për caktimin e masës së paraburgimit. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR