Prokuroria franceze kërkon shtatë vite burg për Sarkozin
- Prokuroria franceze dje kërkoi dënim me shtatë vite burg dhe gjobë prej 300.000 euro për ish presidentin Nikollas Sarkozi i cili përballet me akuzën për financim të paligjshëm të fushatës nga regjimi i sundimtarit tashmë të ndjerë libian, Moamer Gadafi.
- Post By Fami Bajrami
- 07:59, 28 mars, 2025

Paris, 28 mars 2025 (MIA) - Prokuroria franceze dje kërkoi dënim me shtatë vite burg dhe gjobë prej 300.000 euro për ish presidentin Nikollas Sarkozi i cili përballet me akuzën për financim të paligjshëm të fushatës nga regjimi i sundimtarit tashmë të ndjerë libian, Moamer Gadafi.
Sarkozi përballet me gjyq që nga janari nën akuzën për fshehje dhe shpërdorim të fondeve publike, korrupsion pasiv, financim të paligjshëm të fushatës dhe komplot kriminal.
Prokurori Sebastien de La Tuan i përshkroi akuzat kundër Sarkozit dhe 12 të akuzarve të tjerë si "korrupsion me intensitet të lartë".
De La Tuan ka thënë se Sarkozi ka bërë një "pakt faustian për korrupsion me një nga diktatorët më të urryer gjatë 30 viteve të fundit".
Prokurorët kërkuan gjithashtu një ndalim pesëvjeçar të veprimtarisë politike dhe shfrytëzimin e disa privilegjeve.
Jashtë sallës së gjyqit, avokatët e Sarkozit u thanë gazetarëve se dënimet e kërkuara ishin të ashpra dhe të pabaza dhe se ai është i pafajshëm.
"Do të vazhdoj të luftoj centimetër pas centimetri për të vërtetën dhe të besoj në mençurinë e gjykatës", publikoi Sarkozi në Fejsbuk duke shtuar se rasti është i motivuar politikisht.
Foto: arkivi i MIA-s