Projektet në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore në fokus të takimit Zekolli – Shaqiri dhe Çelikaja
- Zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri sot realizoi takim me zëvendësambasadorin e Republikës së Turqisë në vend, Muhamed Çelikaja.
- Post By Fami Bajrami
- 19:34, 14 gusht, 2024
Shkup, 14 gusht 2024 (MIA)- Zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri sot realizoi takim me zëvendësambasadorin e Republikës së Turqisë në vend, Muhamed Çelikaja.
Zëvendësministrja informoi për ciklin e fuqishëm të investimeve në infrastrukturë, me një fokus të veçantë në projektet e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore. Gjithashtu, në takim u diskutua për lidhjen e mirë me Republikën e Turqisë në fushën e aviacionit dhe në fushën e transportit rrugor ndërkombëtar ndërmjet dy vendeve.
"Bashkëpunimi mes dy vendeve është në një nivel të shkëlqyer dhe padyshim kështu duhet të vazhdojë në të gjitha fushat që janë me interes të ndërsjellë. Kemi marrëdhënie të shkëlqyera në aviacion ku, sipas rendit të fluturimeve për vitin 2024, transportuesi ajror turk Turkish Airlines operon 7 herë në javë (çdo ditë të javës) në relacionin: Stamboll – Shkup dhe Shkup – Stamboll. Në pjesën e transportit rrugor, përkatësisht në transportin e mallrave, për vitin 2024 janë shkëmbyer: 1300 leje për dhe nga vendet e treta dhe 3150 leje për hyrjen e kamionëve bosh gjatë transportit dypalësh të mallrave. Në pjesën e transportit të udhëtarëve janë vendosur 8 (tetë) linja autobusi për kryerjen e transportit ndërkombëtar të udhëtarëve, për të cilat transportuesit posedojnë leje të vlefshme dhe njëkohësisht po zhvillohet procedura për dhënien e lejes për kryerjen e transportit ndërkombëtar të udhëtarëve për dy relacione," theksoi zëvendësministrja Zekolli-Shaqiri.
Gjatë takimit, zëvendësministrja falënderoi për mbështetjen e fuqishme të Republikës së Turqisë.
Foto: profili në Fejsbuk i zëvendësministres Kaltrina Zekolli- Shaqiri