Programi i Vullnetarëve në Kuvend - të rinjtë dëshriojnë të jenë pjesë e institucioneve demokratike
- Kuvendi është i hapur për të rinjtë dhe idetë e reja, potencoi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në hapjen solemne të programit të Vullnetarëve për vitin 2025, që u zhvillua sot në shtëpinë ligjvënëse. Programi u lejon të rinjve të njihen nga afër me punën e Kuvendit dhe të fitojnë përvojë praktike në institucion.
- Post By Ramize Qamili
- 15:40, 1 dhjetor, 2025
Shkup, 1 dhjetor 2025 (MIA) - Kuvendi është i hapur për të rinjtë dhe idetë e reja, potencoi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në hapjen solemne të programit të Vullnetarëve për vitin 2025, që u zhvillua sot në shtëpinë ligjvënëse. Programi u lejon të rinjve të njihen nga afër me punën e Kuvendit dhe të fitojnë përvojë praktike në institucion.
Gashi theksoi se vizioni që nga dita e parë e mandatit të tij është që Kuvendi të jetë i arritshëm për qytetarët, veçanërisht për të rinjtë.
"Grupi i parë i vullnetarëve ishte shumë i suksesshëm, 20 persona punuan në sektorë të ndryshëm dhe fituan përvojë të jashtëzakonshme, ndërsa njëri prej tyre është tashmë i punësuar në Kuvend. Keni shancë ta shfrytëzoni sa më shumë dhe të punoni në institucionin më të rëndësishëm në vend", potencoi Gashi, duke shtuar se shërbimi i Kuvendit është një nga më të mirët në vend.

Për rëndësinë e programit dhe zhvillimin e tij foli zëvendësambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Daniell Fajler, duke potencuar se nga një projekt i panjohur i vitit të kaluar, sot po shndërrohet një mundësi e përhershme e institucionalizuar për të rinjtë.
"Jam veçanërisht i lumtur që e shoh këtë iniciativë të rritet nga një projekt-pilot premtues në një mundësi të përhershme të institucionalizuar për persona nga e gjithë Maqedonia e Veriut. Vitin e kaluar askush nuk e dinte se si do të zhvillohej, ndërsa sot e dimë se i ka tejkaluar pritjet dhe kjo është fantastike, theksoi Fajler, duke shtuar se Mbretëria e Bashkuar është krenare që e ka mbështetur këtë iniciativë përmes Fondacionit për Demokraci Vestminster

Drejtoresha e Fondacionit të Demokracisë "Vestminster", Dona Kosturanova, theksoi se programi filloi me një vizion të qartë për të hapur dyert e institucionit më të lartë demokratik për të rinjtë.
"Besojmë te të rinjtë si qytetarë të angazhuar dhe të përgjegjshëm dhe te Kuvendi si një institucion profesional i cili punon për qytetarët. Aplikimet e shumta janë provë se të rinjtë duan të jenë pjesë e institucioneve demokratike dhe të kontribuojnë, tha Kosturanova, duke shtuar se përfitimet janë të dyanshme: për të rinjtë një mundësi për të fituar njohuri dhe kontakte praktike, ndërsa për Kuvendin një mundësi për të sjellë energji të re dhe për të demonstruar hapjen e tij.
Programi i Vullnetarëve në Kuvend realizohet në bashkëpunim me Fondacionin për Demokraci "Vestminster" dhe me mbështetjen e Ambasadës britanike. Këtë vit përsëri janë përzgjedhur 20 vullnetarë të cilët në katër muajt e ardhshëm do të jenë pjesë e punës në Kuvend. rq/
Foto: MIA