• e diel, 22 dhjetor 2024

Prodi: Zgjerimi i BE-së duhet të vazhdojë sa më shpejt të jetë e mundur me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor

Prodi: Zgjerimi i BE-së duhet të vazhdojë sa më shpejt të jetë e mundur me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor
Ohër, 18 janar 2022 (MIA) - Ish-kryetari i Komisionit Evropian Romano Prodi, duke iu drejtuar pjesëmarrësve në ceremoninë onlajn të ndarjes së Çmimit Botëror për Humanizëm, përsëriti nevojën për vazhdimin e procesit të zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor. Ai e përdori fjalimin për t'iu përkushtuar Maqedonisë së Veriut dhe vështirësive me të cilat përballet vendi në rrugën e saj të integrimit evropian, veçanërisht habinë e tij për vendimin e Francës për të mos dhënë dritën jeshile për fillimin e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut. “Besoj se procesi i zgjerimit të BE-së duhet të përfundojë. Evropa është përzierje e kulturës gjermane, saksone, sllave dhe ne jemi të gjithë një, pikërisht për shkak të trashëgimisë sonë multikulturore. Unë dua të jap një mesazh të fortë nga këtu, që të fillojë sa më parë procesi i integrimit evropian të të gjitha vendeve të Ballkanit në BE, përndryshe Evropa nuk do të jetë e plotë. E di që anëtarësimi i shumëfishtë në BE nënkupton shumëfishimin e problemeve dhe lënien e hapësirës për çështje të hapura, por ka pasur ndryshime pozitive të politikave. Në emër të humanizmit, them se është një mënyrë unike, universale që ne të bashkohemi së bashku me të gjitha dallimet tona në origjinë dhe kulturë”, tha Prodi. Prodi, i cili është vetë laureat i Çmimit Botëror të Humanizmit për vitin 2019 dhe në ceremoninë e dorëzimit në Ohër tre vjet më parë, theksoi nevojën e përshpejtimit të pashmangshëm të procesit të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit në Bashkimin Evropian, duke paralajmëruar se nuk do të ketë paqe të plotë dhe të qëndrueshme në Evropë derisa të gjitha vendet e kontinentit të bëhen pjesë e familjes së madhe evropiane.

QËNDRONI TË LIDHUR