Pritje në Bruksel me rastin e Ditës së pavarësisë së Maqedonisë
- Më 8 shtator të vitit 1991, qytetarët tanë konfirmuan angazhimin e tyre për pavarësi në një referendum, duke hapur rrugën për ndërtimin e një shteti modern, sovran dhe demokratik, tha ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski në një video- fjalim në pritjen e mbajtur mbrëmë në ndërtesën e Këshillit të Qytetit të Brukselit me rastin e Ditës së pavarësisë së Maqedonisë - 8 Shtatori.
- Post By Fami Bajrami
- 09:50, 23 shtator, 2025
Bruksel, 23 shtator 2025 (MIA) – Më 8 shtator të vitit 1991, qytetarët tanë konfirmuan angazhimin e tyre për pavarësi në një referendum, duke hapur rrugën për ndërtimin e një shteti modern, sovran dhe demokratik, tha ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski në një video- fjalim në pritjen e mbajtur mbrëmë në ndërtesën e Këshillit të Qytetit të Brukselit me rastin e Ditës së pavarësisë së Maqedonisë - 8 Shtatori.
“Ky ishte kulmi i aspiratës shekullore për vetëvendosje dhe një jetë dinjitoze në vendin tonë. Gjatë 34 viteve të fundit, vendi ynë ka kaluar nëpër një transformim të thellë dhe një proces të plotë të tranzicionit demokratik”, tha Mucunski.

Ai theksoi se pavarësisht sfidave, populli ynë po ruan identitetin, gjuhën dhe traditën e tij, duke përqafuar lirinë dhe demokracinë, për të cilat, siç tha ai, jemi sinqerisht mirënjohës ndaj Bashkimit Evropian dhe anëtarëve të tij. “Sot, vendi ynë është një aktor i rëndësishëm në skenën ndërkombëtare si anëtar i Kombeve të Bashkuara, një aleat krenar i NATO-s, plotësisht i përafruar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së dhe nënshkrues i partneritetit të sigurisë, me të cilin kontribuojmë në mënyrë aktive në paqen dhe sigurinë globale”, shtoi Mucunski.

Shefi i diplomacisë theksoi se anëtarësimi në BE mbetet përparësia kryesore politike e vendit, jo vetëm me fjalë, por edhe me reforma dhe vepra të vërteta.
“Kjo është e ardhmja që qytetarët tanë zgjodhën 34 vjet më parë - një vend i fortë, sovran dhe i pavarur, pjesë e familjes evropiane. Në frymën e përgjegjësisë sonë, le të vazhdojmë të ndërtojmë dhe forcojmë vendin tonë, sepse pavarësia nuk është një ngjarje e së kaluarës, por një proces që vazhdon çdo ditë. Unë besoj fuqimisht se një ditë dielli do të shkëlqejë përkrah yjeve të Bashkimit Evropian”, shtoi Mucunski në video-fjalimin.

Në emër të tij dhe në emër të organizatorëve të tjerë të pritjes, ushtruesit të detyrës përfaqësues aktual i vendit në NATO, Ismail Ebipi, të ngarkuarës me punë në ambasadën e Maqedonisë në Belgjikë, Suzana Mehmedit dhe përfaqësuesit ushtarak të vendit në NATO dhe BE, kolonel Ivica Ampovit, para të pranishëmve u drejtua me fjalë rasti, shefi i misionit të Maqedonisë në BE, Zulfi Ismaili.
Ambasadori Ismaili theksoi se që nga Dita e pavarësisë në vitin 1991, vendi ka kaluar nëpër një udhëtim transformues, nga fillimet sfiduese kur kishte nevojë për mbështetje nga bashkësia ndërkombëtare, deri te anëtarësimi në shumicën e organizatave ndërkombëtare dhe bërja e një anëtari të besueshëm dhe të vlefshëm të bashkësisë ndërkombëtare.

“Që nga fillimi, Parlamenti ynë vendosi unanimisht që dy qëllimet kryesore strategjike do të jenë anëtarësimi në NATO dhe BE”, tha Ismaili në fjalimin e tij para përfaqësuesve të Aleancës, përfshirë zëvendëssekretaren e përgjithshme të Paktit, Radmila Shekerinska, institucionet e Unionit dhe autoritetet belge, anëtarët aktualë të trupit diplomatik në Bruksel dhe anëtarët e diasporës maqedonase në Belgjikë.
Ismaili theksoi se pavarësisht sfidave të shumta me të cilat jemi përballur gjatë viteve të partneritetit tonë evropian, ne kurrë nuk kemi hequr dorë nga anëtarësimi në BE, siç dëshmohet nga mbështetja e vazhdueshme dhe e fortë e qytetarëve tanë për anëtarësimin e vendit në Union.

“Ky angazhim u konfirmua edhe nga Eurobarometri i fundit, duke treguar se rreth 70 për qind e qytetarëve tanë kanë një qëndrim pozitiv dhe besim të fortë në aspiratat tona për anëtarësim në BE. Integrimi gradual ose siç na pëlqen ta quajmë integrim i përshpejtuar, siç është Plani i Rritjes, integrimi i pjesshëm në tregun e vetëm dhe nënshkrimi i partneritetit tonë të sigurisë dhe mbrojtjes si vendi i parë në rajon, janë hapa të rëndësishëm që sjellin përfitime edhe para anëtarësimit tone”, shtoi Ismaili.

Ai pëkujtoi se këtë vit po shënojmë edhe pesëvjetorin e anëtarësimit tonë në NATO, ku tregojmë se vendi është një anëtar i vlefshëm i familjes së Aleancës, duke siguruar stabilitet, veçanërisht në rajonin tonë në kushte kur po përballemi me sfida që janë më të mëdha se kurrë më parë.
Të pranishmit në këtë pritje patën mundësi të shijonin ushqim tradicional të përgatitur nga anëtarët e dy misioneve tona dhe ambasadës në Bruksel dhe anëtarët e familjeve të tyre.

Foto: arkivi i MIA-s