• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Prishtina dhe Beogradi në Bruksel u dakorduan për deklaratën për personat e pagjetur

Prishtina dhe Beogradi në Bruksel u dakorduan për deklaratën për personat e pagjetur

Prishtinë, 4 prill 2023 (MIA) - Kosova dhe Serbia janë pajtuar për tekstin e deklaratës për personat e pagjetur, sipas një deklarate të shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, pas takimit trepalësh në Bruksel me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimin, dhe përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, transmeton Telegrafi.

"Vetëm do të shtoja se kemi pasur kujdes të veçantë për të gjitha termet dhe se nuk e kemi pranuar termin e përmendur në konventën ndërkombëtare për zhdukjen e dhunshme, sepse jemi kujdesur që të mos rrezikojmë interesat e Serbisë", tha Petkoviq pas takimit të së martës, 4 prill.

Pas këtij takimi, Bislimi ka thënë se palët janë pajtur që takimi i radhës në nivelin e lartë të zhvilohet më 22 prill.

“Por, kjo nuk është edhe aq e sigurt pasi që ka indikacione që presidenti i Serbisë nuk është i gatshëm apo nuk mund të vijë në këtë datë, kështu që mbett të shqyrtohet një datë alternative”, tha Bislimi.

Në këtë takim të radhës, sipas Petkoviqit, do të miratohet zyrtarisht teksti i deklaratës për personat e pagjetur, për tekstin e së cilës ai tha se palët janë pajtuar në Bruksel.

Bislimi tha gjithashtu se është diskutuar për cështjen riregjistrimin e veturave me targa KM në RKS, duke thënë se “kemi raportuar që deri në fillim të marsit ka pasur një zhvillim të mirë, por pas kërcënimeve dhe djegieve të veturave, nuk ka pasur vetura të regjistruara”.

Lidhur me këtë temë, Petkoviq tha se ka vënë në dukje shkeljen e marrëveshjes për targa.

“Ne dolëm me propozime konstruktive, Prishtina tani për tani ka refuzuar. Gjëja më e rëndësishme është të insistojmë në mënyrë paqësore”, shtoi ai.

Petkoviq tha se është biseduar edhe për formimin e Asociacionit me shumicë serbe.

“Pas kaq vitesh sot diskutuam për herë të parë hapat më konkretë për formimin e Asociacionit në kuadër të takimit tripalësh. Më saktësisht, çfarë duhet të bëjë ekipi menaxhues e në përputhje me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, është e qartë se hapi i parë është prezantimi i statutit”, shtoi Petkoviq.

Para këtij takimi, Lajçak kishte takuar përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë ndarazi, ndërsa ishte takuar edhe me Këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të shtetit, Derek Çollet.

Përmes një postimi në Tuiter, Çollet tha se në këtë takim është diskutuar “për mbështetjen tonë të fortë për dialogun e udhëhequr nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe përkushtimin e përbashkët për ta mbështetur rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt integrimit në BE”. ab/

QËNDRONI TË LIDHUR