• e hënë, 23 dhjetor 2024

Princesha Leonora u betua si trashëgimtare e fronit të Spanjës

Princesha Leonora u betua si trashëgimtare e fronit të Spanjës

Madrid, 31 tetor 2023 (MIA) - Princesha spanjolle Leonora e Burbonit sot, në ditëlindjen e saj të 18-të, bëri betimin në Kushtetutë për t'u bërë trashëgimtare e fronit - udhëheqësja e ardhshme e shtetit spanjoll.

Në prani të babait të saj - mbretit Felipe i Gjashtë, nënës - mbretëresha Leticia dhe motrës Sofia, princesha Leonora u betua në një seancë të përbashkët solemne të jashtëzakonshme të dy dhomave të Parlamentit.

Babai i saj kreu këtë akt zyrtar të obligueshëm në vitin 1986, ndërsa gjyshi i saj, Huan Karlos I, në vitin 1969.

E veshur në një kostum të bardhë elegant, Leonora u betua në kopjen e njejtë të Kushtetutës si babai i saj 37-të vjet më parë.

Në solemnitet ajo tha: "Betohem se do t'i kryej me besnikëri funksionet e mia, se do të mbroj Kushtetutën dhe ligjet, do të respektoj të drejtat e qytetarëve dhe komuniteteve autonome dhe se do t'i jem besnike mbretit".

Më pas ajo mori një duartrokitje disaminutëshe dhe puthje nga babai i saj dukshëm i emocionuar, mbreti Felipe.

Leonora gëzon një reputacion dhe popullaritet shumë të lartë në Spanjë, ku monarkia debatohet vazhdimisht.

Një ceremoni e shkurtër me intonimin e himnit kombëtar u transmetua në televizion dhe në disa ekrane gjigante nëpër rrugët e Madridit. Një numër i madh njerëzish u mblodhën rreth parlamentit nën flamuj kombëtarë duke thirrur "Rroftë Spanja!".

Kryeministri në largim Pedro Sançez dhe politikanë të tjerë morën pjesë në ceremoninë në parlament, por ajo u bojkotua nga një parti radikale e majtë kundër monarkisë, si dhe përfaqësues të partive baske, katalane dhe galike që favorizojnë pavarësinë nga Spanja. sa/

foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR