• e hënë, 23 dhjetor 2024

Prigozhin: Qëllimi i rebelimit ishte të parandalohet shkatërrimi i grupit "Vagner"

Prigozhin: Qëllimi i rebelimit ishte të parandalohet shkatërrimi i grupit

Moskë, 26 qershor 2023 (MIA) - Kreu i grupit paramilitar "Vagner", Evgenij Prigozhin sapo ka lëshuar një mesazh audio 11-minutësh, i pari që nga rebelimi që ai e organizoi të shtunën, i cili përfundoi me tërheqjen e luftëtarëve të tij.

Në mesazh ai thotë se arsyeja e rebelimit është se asnjë nga komandantët nuk pranoi të nënshkruante një marrëveshje me Ministrinë e Mbrojtjes ruse dhe se për këtë shkak kompania e tij mercenare u detyrua të pushonte së ekzistuari më 1 korrik.

"Komandantët në Vagner menduan se nëse nënshkruanin me Ministrinë e Mbrojtjes, ata do të shndërroheshin në mish për top për shkak të mënyrës se si ushtria e rregullt vepronte në aksione," tha Prigozhin. Ai shtoi se disa luftëtarë kanë vendosur t'i bashkohen forcave të Ministrisë së Mbrojtjes, por që janë të paktë.

“Ne ishim kategorikisht kundër... Por bënim inventurë, planifikonim të dilnim në Rostov më 30 qershor dhe t'i vendosnim publikisht pajisjet tona pranë udhëheqjes së Armatës. Megjithatë, pavarësisht se nuk treguam ndonjë agresion, ne u goditëm. Në një sulm ajror u vranë 30 luftëtarë dhe kjo na detyroi të largoheshim menjëherë. Qëllimi i aksionit tonë ishte ta parandalojmë shkatërrimin e Vagnerit dhe të nxjerrim para drejtësisë ata që me veprimet e tyre joprofesionale bënë një sërë gabimesh gjatë operacionit special ushtarak. Kishte kërkesë në publik”, tha ndër të tjera kreu i kompanisë private ushtarake Vagner.

Ai shtoi se ata u ndalën në momentin kur "skuadra e parë sulmuese vendosi artilerinë dhe bëri një zbulim të terrenit nga i cili ishte e qartë se në atë moment do të derdhej shumë gjak".

Prigogzhin tha se qëllimi i kryengritjes nuk ishte përmbysja e qeverisë dhe se marshimi i Vagnerit në Moskë tregon "probleme serioze sigurie" në Rusi.

Në përputhje me një marrëveshje të ndërmjetësuar nga udhëheqësi bjellorus Aleksandër Lukashenko që qetësoi krizën të shtunën vonë, Kremlini tha se çështja penale kundër Prigozhinit do të hiqet dhe ai do të transferohej në Bjellorusi. Megjithatë, disa media të Moskës raportuan se procedurat ndaj Prigozhinit nuk janë ndalur dhe se hetimet vazhdojnë.

Prigozhin nuk është parë në publik që nga largimi nga Rostovi vonë të shtunën dhe nuk ka komentuar për marrëveshjen apo rebelimin deri më sot. qa/shk/

 

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR