Presidentja Osmani udhëton për vizitë shtetërore në Zvicër me ftesë të presidentes Keler-Suter
- Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Zotëria i parë, Prindon Sadriu me ftesë të Këshillit federal të Zvicrës, të udhëhequr nga presidentja e Konfederatës së Zvicrës, Karin Keler-Suter kanë udhëtuar për në Zvicër në vizitën e parë shtetërore të një kreu të shtetit të Kosovës në këtë shtet.
- Post By Fami Bajrami
- 09:35, 21 maj, 2025
Prishtinë, 21 maj 2025 (MIA)- Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Zotëria i parë, Prindon Sadriu me ftesë të Këshillit federal të Zvicrës, të udhëhequr nga presidentja e Konfederatës së Zvicrës, Karin Keler-Suter kanë udhëtuar për në Zvicër në vizitën e parë shtetërore të një kreu të shtetit të Kosovës në këtë shtet.
Vizita do të realizohet në kuadër të marrëdhënieve të shkëlqyera ndërshtetërore dhe do të ketë për qëllim forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës.
Vizitat shtetërore janë niveli më i lartë i vizitave, ndaj kjo shënon një moment historik në relacionet Kosovë-Zvicër.
Në Rezidencën zyrtare Lohn do të bëhet pritja me nderime shtetërore dhe do të mbahet një drekë pune, ku presidentja Osmani dhe Zotëria i parë, Prindon Sadriu, do të priten me nderime të larta shtetërore nga presidentja Keler-Suter dhe Zotëria i parë, Morten Keler.
Më pas, në sheshin qendror të Bernës, Bundesplatz do të mbahet ceremonia shtetërore e mirëseardhjes me nderime ushtarake, ku ndër të tjera presidentja Osmani dhe presidentja Keler-Suter do të kenë rastin të përshëndeten edhe me qytetarë të shumtë që do të marrin pjesë në këtë moment simbolik të miqësisë ndërmjet dy vendeve.
Programi i vizitës do të vazhdojë me ceremoninë shtetërore në Parlamentin e Zvicrës ku Osmani do të mbajë një fjalim të posaçëm para përfaqësuesve të institucioneve zvicerane. Po ashtu, gjatë qëndrimit të saj në Bernë, presidentja do të zhvillojë takime të ndara me drejtues të institucioneve federale.
Në St. Gallen, Osmani me homologen Keler-Suter do ta vizitojnë qendrën inovative SQUARE të Universitetit të St. Galen.
Ndërkaq në Gjenevë, presidentja Osmani do të marrë pjesë në aktivitet për trashëgiminë politike të Marti Ahtisarit të organizuar bashkërisht nga Fondacioni i paqes Marti Ahtisari, Misioni i përhershëm i Finlandës në Gjenevë, organizata ndërkombëtare Interpeace dhe Geneva Graduate Institute.
Gjatë qëndrimit në Gjenevë, Osmani do të ketë një takim me mërgatën shqiptare.