• e hënë, 23 dhjetor 2024

Presidentja Osmani udhëton për në Greqi për Samitin e vendeve të Evropës Juglindore

Presidentja Osmani udhëton për në Greqi për Samitin e vendeve të Evropës Juglindore
Prishtinë, 9 qershor 2022 (MIA) - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu, do të udhëtojë për në Greqi për të marrë pjesë në Samitin e krerëve të shteteve të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).

Siç bëhet e ditur në kumtesën e Zyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës (ZPRK), në këtë Samit, presidentja Osmani do t’i bashkohet krerëve të 13 shteteve për të biseduar rreth thellimit të bashkëpunimit me vendet e rajonit dhe partnerët ndërkombëtarë për të garantuar paqe, siguri, stabilitet, zhvillim ekonomik, politik e shoqëror në rajon. Gjithashtu, Samiti i SEECP-së do të përqendrohet edhe në zhvillimet e fundit në Evropë, përfshirë luftën në Ukrainë, si dhe ndikimin e tyre në vendet e rajonit.

Gjatë Samitit të SEECP-së, Presidentja Osmani do të ketë takim bilateral me nikoqirin e Samitit, kryeministrin e Greqisë Kiriakos Micotakis, si dhe me pjesëmarrës të tjerë. Presidentja Osmani do të marrë pjesë në darkën zyrtare të Samitit me Kancelarin e Gjermanisë Ollaf Shollc dhe me presidentin e Këshillit të BE-së Sharll Mishell.

Në këtë Samit të SEECP-së, Presidentja Osmani do të flasë edhe për rolin që Republika e Kosovës po luan në ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në rajon; rëndësinë e bashkëpunimit rajonal duke u bazuar në parimet e barabarësisë dhe gjithëpërfshirjes, si dhe për nevojën për ta përshpejtuar perspektivën euro-atlantike për Kosovën dhe vendet e tjera demokratike në rajon. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR