Presidentja Osmani priti Raportuesin e Parlamentit Evropian për Kosovën, Riho Teras
- Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim raportuesin për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Teras.
- Post By Fami Bajrami
- 12:02, 9 dhjetor, 2025
Prishtinë, 9 dhjetor 2025 (MIA)- Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim raportuesin për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Teras.
Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, m ç`rast presidentja Osmani theksoi se zgjedhjet lokale u zhvilluan në mënyrë plotësisht të lirë, të qetë dhe demokratike dhe se transferimi i pushtetit u bë në mënyrë paqësore.
“Presidentja Osmani theksoi se, pavarësisht bashkëpunimit konstruktiv, vazhdimi i masave të BE-së ndaj Kosovës mbetet i pashpjegueshëm, i padrejtë dhe i paarsyeshëm.
Në këtë kontekst, presidentja Osmani kërkoi mbështetjen e z. Teras për heqjen sa më të shpejtë të këtyre masave, duke rikujtuar se ato dëmtojnë qytetarët dhe minojnë besimin në procesin e integrimit, teksa Kosova ka përmbushur çdo kërkesë të paraqitur nga partnerët evropianë”, thuhet në komunikatë.
Sipas Osmanit, heqja e masave do të ishte një sinjal i fuqishëm për qytetarët dhe një mesazh inkurajues për vazhdimin e reformave.
“Më tej, presidentja Osmani shtroi nevojën që kërkesa e Kosovës për anëtarësim në BE të procedohet sa më parë dhe që anëtarësimi të bëhet në bazë të meritave. Gjatë takimit, presidentja prezantoi një sërë të dhënash të institucioneve ndërkombëtare që e pozicionojnë Kosovën në majat e performancës në shumë fusha kyçe”, theksohet në kumtesë.