• e enjte, 04 dhjetor 2025

Presidentja Osmani priti presidenten e KE-së, Ursula fon der Lajen

Presidentja Osmani priti presidenten e KE-së, Ursula fon der Lajen

Prishtinë, 15 tetor 2025 (MIA)- Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim presidenten e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen.

Gjatë takimit, Osmani theksoi përkushtimin e Republikës së Kosovës ndaj agjendës së reformave në kuadër të Planit të rritjes, duke nënvizuar rëndësinë e zbatimit të tyre dhe bashkëpunimit të ngushtë me Bashkimin Evropian në këtë proces. Tani që Kuvendi është konstituuar, presidentja shprehi pritjet e saj që miratimi i Planit të Rritjes të jetë ndër vendimet e para të Kuvendit.

“Presidentja Osmani theksoi se reformat e suksesshme dhe përparimi i vazhdueshëm i Kosovës në indekset ndërkombëtare të demokracisë dhe sundimit të ligjit janë dëshmi e qartë e përkushtimit të vendit tonë ndaj integrimit evropian. Në këtë kontekst, ajo ritheksoi rëndësinë që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke gjetur mënyra për thyerjen e bllokadës aktuale që ekziston në BE”, thuhet në kumtesë.

Në takim, Osmani poashtu theksoi domosdoshmërinë e heqjes së masave të padrejta ndaj Kosovës, duke rikujtuar se edhe vetë Komisioni Evropian ka konfirmuar se këto masa duhet të hiqen, që nga propozimi i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së në qershor 2024.

Duke folur për përpjekjet e Kosovës drejt përafrimit me Bashkimin Evropian, Osmani theksoi se mbështetja e Komisionit Evropian në këtë proces mbetet thelbësore. Ajo ritheksoi përkushtimin e popullit të Kosovës, popullit më pro-evropian në botë, për të ardhmen evropiane të vendit tonë.

Përveç kësaj, presidentja ngriti gjithashtu çështjen e rritjes së bashkëpunimit me BE-në për të mbështetur sektorin e shëndetësisë në Kosovë, si një domosdoshmëri për zhvillimin e vendit dhe ngritjen e cilësisë së jetës për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Përgjatë takimit u diskutua për procesin e formimit të qeverisë pas konstituimit të Kuvendit, si dhe për zhvillimin e zgjedhjeve lokale, një ushtrim i rëndësishëm demokratik që edhe një herë dëshmoi profesionalizmin e institucioneve tona dhe përkushtimin e qytetarëve ndaj demokracisë. Ajo gjithashtu shprehu shqetësimin për ndërhyrjet e vazhdueshme dhe të paligjshme të Serbisë në proceset zgjedhore në Kosovë, janë veprime destabilizuese që bien ndesh me të drejtën ndërkombëtare.

 

QËNDRONI TË LIDHUR